Ballkani dhe Drita po luftojnë kokë më kokë për titullin e kampionit të Kosovës në futboll në këtë edicion garues të Superligës së Kosovës.
Të dy skuadrat kanë nga 66 pikë dhe e ndajnë kreun e tabelës të pa shqetësuara nga ekipet tjera poshtë tyre, derisa fundi i kampionatit vjen së shpejti pas kanë mbetur vetëm edhe tri xhiro për t’u zhvilluar.
E kampioni në fuqi, Ballkani, iu është drejtuar tifozëve të tyre që t’i mbështesin dhe së bashku t’ia dalin që ta mbrojnë titullin e kampionit të fituar edicionin e kaluar.
Ky është postimi i plotë i Ballkanit
Kanë mbetur edhe 270 minuta për t’u zhvilluar në fushë, në të cilat kampionët tanë nuk do të kursejnë asgjë nga vetja.
Janë 16200 sekonda betejë futbolli, ku nën betim, secili futbollist në fushë, është gati të derdhë edhe djersën e fundit të energjisë, për ta shtruar rrugën e re drejt lavdisë.
Nga sot, janë edhe 18 ditë, çdo moment i së cilave është i mbushur me motivin më të madh të mundshëm, për ta dërguar BALLKANIN atje ku jemi mësuar ta shohim, duke bërë krenar çdo shqiptar.
Në këto 3 finale që na presin, me XHEBRAILAT dhe çdo tifoz të klubit, bashkë do të shkëlqejmë, bashkë do të luftojmë, që në fund bashkë të festojmë!
Na priftë e mbara!
/TV Arbëria