Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Politika > Osmani: Kushtetuta e Kosovës duhet të jetë pikënisja për Asociacionin

Osmani: Kushtetuta e Kosovës duhet të jetë pikënisja për Asociacionin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar se pikënisja për statutin e Asociacionit duhet të jetë Kushtetuta e Kosovës dhe jo propozime nga Serbia që kanë synim krijimin e një Republike serbe në Kosovë.

Në një intervistë për “Atlantic Council” në Washington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Osmani, bëri thirrje që procesi i dialogut të mos bjerë në kurthin e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të cilin e quajti edhe autokrat.

“Sa i përket statutit të propozuar nga ish ekipi menaxhues, ai është një model për një Republikë serbe plus, që tregon se Serbisë nuk i interesojnë të drejtat e komuniteteve pakicë, por i intereson të ketë një instrument me të cilin do të vazhdojë ta sfidojë integritetin territorial dhe sovran të Kosovës, e po ashtu edhe shtetësinë e saj, ku natyrisht vizioni që është propozuar nga Qeveria e Kosovës për parimet mbi të cilat do të hartohej statusi, përcjellë vendimet e Gjykatës Kushtetuese në 2015 dhe po ashtu qëndrimin e shkruar të ShBA-së, që është publikuar nga Chollet dhe Escobar. Pra, pikënisja do të duhej të ishte Kushtetuta e Kosovës dhe jo një propozim nga Serbia, që synon krijimin e një republike tjetër si ajo e Dodikut në rajonin tonë, që ka për qëllim të shkatërrimit të mëtutjeshëm dhe të na kthej të gjithëve në të 90-tat. Kjo do të duhej të refuzohej unanimisht si një model i rrezikshëm dhe mos të shihej si bazë për negociata”, tha ajo.

Osmani shtoi se Kosova është e gatshme të ofrojë modele për Asociacionin, i cili është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe sistemet më të mira evropiane.

Për këtë ajo tha se grupe ekspertësh po punojnë tash e një kohë të gjatë që dhjetë parimet që janë propozuar si draft-vizion më 2 maj në Bruksel, të bëhen dispozita konkrete kushtetuese dhe ligjore.

“Kemi shumë grupe ekspertësh që po punojnë tashmë një kohë të gjatë, për t’u siguruar që Kushtetuta e Kosovës, vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe sistemet më të mira evropiane, të cilat përmenden si instrumente të Këshillit të Evropës, të jenë të studiuara në mënyrën më të mirë të mundshme, në mënyrë që këto dhjetë parime që u propozuan më 2 maj, të bëhen dispozita konkrete ndërkohë. Por, deri më tani nuk kemi një datë konkrete se kur do të zhvillohen takime të tilla në Bruksel. Por, Kosova është e gatshme t’i ofrojë të gjitha këto modele për t’u siguruar që të gjithë qytetarët e Kosovës, duke përfshirë komunitetet pakicë, të ndjehen të sigurt dhe të përfshirë, dhe të kenë një mbrojtje të theksuar të të drejtave të tyre njerëzore dhe të pakicave”, shtoi Osmani.

E pyetur për mosrespektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, ajo tha se duhet gjetur një rrugë për të shkuar përpara. Por, theksoi se Kisha Ortodokse në Kosovë i ka gjitha siguritë se askush nuk do t’ia prek pronat.

“Duhet të gjetur një rrugë për të shkuar tutje, por ne kemi dhënë të gjitha siguritë Kishës Ortodokse se askush nuk do t’iu prek pronat. S’ka pasur incidente serioze në të kaluarën, kanë qenë të mbrojtur nga Policia e Kosovës. Me të vërtet e çmojmë rolin e të gjitha feve në Kosovë”, tha ajo.

Ndërkaq, theksoi se nga partnerët ndërkombëtar kanë marrë garanci se Kosova do të përkrahet për t’u përfshirë në Partneritetin për Paqe në NATO.

“Kosova ka marrë garanci prej partnerëve se nëse pranon marrëveshjen e dialogut që është arritur në Ohër, një prej çështjeve është se do të marrim përkrahje, sidomos për partneritetin për paqe dhe anëtarësim në NATO”, përfundoi ajo.

Më 2 maj, në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel është prezantuar draft-statuti për Asociacionin, i përpiluar nga një ekip menaxhues, i përbërë prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb.

Ky ekip është shkarkuar një ditë më vonë, nga autoritetet kosovare, përkatësisht nga ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal.

/TV Arbëria

Powered by WordPress