Policia e Kosovës ka arrestuar një person i cili ditë më parë ishte arratisur nga stacioni policor në Shtime.
I dyshuari B.A ndodhej në stacionin policor pasi kishte kanosur një person, dhe derisa ishte duke pritur për intervistim kishte arritur që përmes dritares të arratiset nga stacioni.
Të enjten, 41 vjeçari dyshohet të ketë kanosur një person në rrugën “Arben Hyseni” në Shtime, i shoqëruar nga A.A, 61 vjeçar, i cili gjithashtu është dërguar në mbajtje.
“Të dyshuarit, po atë natë ishin shoqëruar në stacionin e policisë në Shtime dhe me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj i dyshuari A.A pasi është intervistuar nga policët hetues është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa i dyshuari B.A, derisa ishte duke pritur të intervistohet, arratiset nga stacioni i policisë duke kërcyer nga dritarja”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ndërsa nga vendi i ngjarjes, Policia kishte konfiskuar një armë zjarri automatike AK-47, një pistoletë, si dhe sasi të municionit.
“Policët hetues të stacionit në Shtime, pas një pune intensive hetimore, grumbullimit të informacioneve në terren në kërkim të të dyshuarit, kanë arritur që sot, rreth orës 13:40 të arrestojnë të dyshuarin e arratisur B.A dhe pas intervistimit nga policët hetues, me vendim të prokurorit të rastit dërgohet në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtejme hetimore”, thuhet tutje në njoftim.
/TV Arbëria