Kryetari i Partisë Socialiste, njëherit kryeministër i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se zgjedhjet e 14 majit janë shumë të rëndësishme pasi lidhen drejtpërdrejtë me funksionimin e marrëdhënies mes pushtetit vendor dhe qeverisë. Ai shtoi se sa herë kanë kundërshtarët e tij politikë, komuniteti ia ka parë sherrin.
Në një takim më qytetarë në Peqin, në mbështetje të kandidatit të partisë së tij për kryetar, Bukurosh Maçi, Rama tha se 14 maji shkon përtej zgjedhjes së një kandidati.
“Zgjedhja e 14 majit për hir të së vërtetës shkon përtej kandidatëve sepse është një zgjedhje për të ardhmen që lidhet drejtpërdrejtë dhe me funksionimin e marrëdhënies mes pushtetit vendor dhe qeverisë, për funksionimin e këtij partneriteti pa të cilin asnjë qytet, asnjë komunë, asnjë njësi, asnjë komunitet nuk mund të shkojë përpara ashtu siç dëshiron”, deklaroi Rama.
Duke folur për kandidatët e Partisë Demokratike dhe të Koalicionit “Bashkë fitojmë”, Rama tha se asnjëherë nuk kanë mundur të bëjnë ndryshimet e premtuara sa herë kanë marrë besimin e qytetarëve në zgjedhjet lokale.
“Në asnjë bashki ku ata kanë drejtuar, komuniteti nuk ua ka parë hairin, iu ka parë vetëm sherrin. Nuk ka parë ndryshimet që kanë pritur, por ka parë vetëm probleme dhe degradim dhe shembulli më tipik i kësaj është Shkodra e cila qysh nga viti 1992, kur janë bërë për herë të parë zgjedhje vendore, deri tani që flasim drejtohet prej tyre”, tha Rama.
Në Shqipëri, kjo është java e fundit e fushatës elektorale për zgjedhje vendore që do të mbahen të dielën më 14 maj.
Gara për 14 majin do të jetë kryesisht mes Partisë Socialiste te Shqipërisë së Edi Ramës dhe Koalicionit “Bashkë fitojmë” të Sali Berishës dhe Ilir Metës të cilët kanë kandidatët e tyre në çdo bashki.
Ndërsa, Partia Demokratike e Shqipërisë, e përfaqësuar nga kryetari i komanduar, Enkelejd Alibeaj, gjithashtu do të jetë në garë në disa bashki.
/TV Arbëria