Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Politika > Ligjin për investime strategjike, opozita paralajmëron se do ta dërgojë në Kushtetuese

Ligjin për investime strategjike, opozita paralajmëron se do ta dërgojë në Kushtetuese

Ligji për investime strategjike kaloi në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës. Megjithatë, opozita po e kundërshton këtë ligj, duke e quajtur të mangët dhe jokushtetues.  

Opozita po paralajmëron se të njëjtin do ta dërgojë edhe në Gjykatën Kushtetuese. Kuvendi i Kosovës, ditë më parë miratoi në lexim të parë Ligjin për investime strategjike. Megjithatë, nga opozita pati dhe ka kundërshtime. Deputeti nga radhët e PDK-së, Ferat Shala, këtë ligj e quan antikushtetues.

“Është i pazakontë me mënyrën e të shkruarit, me mënyrën dhe qasjen që ka trajtu, si dhe me kompetencat që i jep sektorëve të caktuar, gjegjësisht grupeve të caktuara, e në këtë rast komiteteve apo këshillave politike. Në këtë rast duke pasur parasysh që trajton tematikat esenciale, prioritetet dhe resurset strategjike, ne kemi lënë të kuptueshme se nëse nuk ndryshon në mes të dy leximeve, kështu siç është- është antikushtetues dhe anti-vlerave ekonomike, anti perspektivës zhvillimore të vendit”, tha Shala për Tëvë 1. 

Ai e paralajmëron shumicën në Kuvend, se në rast se e miratojnë në lexim të dytë këtë Ligj, atëherë PDK do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese. “Nëse nuk ngriten shqetësimet e ngritura dhe nuk bëhen përmirësohen shqetësimet definitivisht do të ankohemi. Ne kemi ngritur shqetësimet, kemi dhënë rekomandimet nen për nen, ai ka non sense edhe juridik sepse len kompetenca ministres të veprojë mbi ligjin”, thotë Shala. Se ky Ligj mund të sfidohet për kushtetutshmërinë e tij, e thotë edhe deputetja nga radhët e AAK-së, Albana Bytyqi.

“I kanë përzi të gjitha investimet e huaja me ato strategjike dhe vendimmarrjen e kanë bartur nga një ministri të caktuar në atë kolegjial. Ka kalu në lexim të parë dhe do të shohim nëse deri në leximin e dytë a do të ketë ndryshime, nëse nuk do të ketë ndryshime ne do ta shohim që gjithsesi se ka mangësi dhe patjetër që do të paraqesim ankesat tona”, ka thënë ajo. Pavarësisht ankesave e kritikave nga opozita, partia shumicë në Kuvend pret që i njëjti ligj të kalojë edhe në lexim të dytë.

/TV Arbëria

Powered by WordPress