Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Politika > Xhemajli: Dezinformatat e Buxhovit arsyetim për Rugovën që nuk kreu detyrat kushtetuese

Xhemajli: Dezinformatat e Buxhovit arsyetim për Rugovën që nuk kreu detyrat kushtetuese

Sekretari i Lëvizjes Popullore e Kosovës, gjatë viteve 1987-1998, Emrush Xhemajli i ka reaguar historianit dhe njërit nga themeluesit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jusuf Buxhovi, duke i thënë se i gjithë halli i tij është të heq përgjegjësinë nga Ibrahim Rugova për të kryer detyrat e tyre kushtetuese për çlirimin e vendit dhe të arsyetojë mospjesëmarrjen në luftën e armatosur çlirimtare.

Ai në një reagim, ka thënë se shfajësimi duke falsifikuar historinë, dhe duke implikuar pa të drejtë të tjerët, është dy herë gabim.

Xhemajli i ka reaguar Buxhovit, i cili më 22 prill në njërin nga televizionet në Kosovë, duke i thënë se në LDK nuk ka hyrë asnjë anëtarë i LPK-së, që drejtoi politikën e luftës së armatosur dhe që formoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Jusuf Buxhovi dezinformoi opinionin. E para, gjoja se Lëvizja Popullore e Kosovës kishte hyrë në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Kjo nuk është e vërtetë. Kurrë LPK nuk është bashkuar dhe nuk ka hyrë në LDK. Programi dhe statuti i kundërt i tyre i ka mbajtur larg këto dy subjekte politike. Në LDK kanë hyrë anëtarët e një grupimi politik që është quajtur gjithashtu LPK, por asnjëherë Lëvizja Popullore e Kosovës që drejtoi politikën e luftës së armatosur dhe që formoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, tha ai.

Xhemaili ka thënë se nuk është e vërtetë teza që Buxhovi mbron, e cila përputhet me tezën serbe, se gjoja SHBA-ja ka kurdisur luftën e armatosur në Kosovë.

“Nuk është e vërtetë teza që ai e mbron, e cila përputhet me tezën serbe, se gjoja SHBA-ja ka kurdisur luftën e armatosur në Kosovë, pasi që sipas tij, SHBA ka punuar në dy vija. LDK-së e Rugovës, gjithnjë sipas Buxhovit, i paska thanë mos u merr me luftën e armatosur, ndërsa në vijën tjetër e paska mbështetur LPK-në në luftën e saj të armatosur çlirimtare. Çka i ka thanë SHBA LDK-së e Rugovës nuk e dimë, por e dimë se LPK-së nuk i ka thanë as ta nise, as të bëjë luftën, as të formojë ushtri. LPK e ka konsideruar se krijimi i ushtrisë dhe lufta e armatosur është detyrë e pashmangshme për një popull që dëshiron të çlirohet nga pushtimi, andaj LPK ishte ajo që ka nisur, programuar, organizuar, e udhëhequr luftën e armatosur, përkatësisht Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, tha ai.

Sipas tij, halli i Buxhovit është që ta arsyetojë Rugovën që nuk ka kryer detyrat kushtetuese për clirimin e vendit.

“Historikisht dihet se ndërhyrja politike serioze nga faktorë dhe akterë ndërkombëtarë në dramën e Kosovës ka ndodhur nga gjysma e dytë te vitit 1998 e tutje, shumë vjet pasi u formua UÇK, pasi u çliruan shumë territore, pasi lufta e drejte e armatosur u bë çështje ndërkombëtare ndërsa terrori i Serbisë kundër civileve u shndërrua në krizë humanitare për çka bota vendosi të bombardoj Jugosllavinë. Gjithë halli i Buxhovit është të heq përgjegjësinë nga kreu i LDK-së, Ibrahim Rugovës për të kryer detyrat e tyre kushtetuese për çlirimin e vendit dhe të arsyetojë mospjesëmarrjen në luftën e armatosur çlirimtare. Shfajësimi duke falsifikuar historinë, dhe duke implikuar pa të drejtë te tjerët, është dy herë gabim. Gabim dje e gabim sot. Me dëme të mëdha dje e me pasoja sot”, tha Xhemajli në reagimin e tij.

/TV Arbëria

Powered by WordPress