Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Politika > Limaj e quan Osmanin shkelëse të Kushtetutës: VV-ja do ta digjte Kosovën po të ishte në opozitë

Limaj e quan Osmanin shkelëse të Kushtetutës: VV-ja do ta digjte Kosovën po të ishte në opozitë

Kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se Kosova do të “digjej” nëse Lëvizja Vetëvendosje do të ishte në opozitë e të arrihej një marrëveshje e tillë me Serbinë.

Ndërkaq presidenten Vjosa Osmani e quan shkelëse të Kushtetutës.

Kreu i Nismës ka thënë se është e pamjaftueshme që opozita të bëhet me vetëm fjalime në Kuvend e debate publik në televizion. Sipas tij, janë me mijëra mënyra e të bërit opozitë.

Limaj konsideron se punën e opozitës më shumë po e bëjnë mediat se sa liderët opozitarë.

“Nuk mundet media me ia krye 100 për qind punën e opozitës, siç po tentojnë drejtuesit e opozitës. Krejt çka është duke bërë sot opozita në Kosovë, fatkeqësisht është kufizuar në ato seancat plenare, në të cilat edhe aty nuk është duke e mbrojtur çështjen si duhet. s’ka iniciativa të mjaftueshme. Kurrë Kosova nuk ka pasur dialog më jo transparent se që ka ndodhur në kohën e Kurtit, të ka ardh marrëveshja dhe janë dy seanca për dialogun”, u shpreh tutje Limaj.

Limaj ka kritika edhe për mënyrën se si është trajtuar rasti i shkarkimit të ish-kryetares së KQZ-së, Valdete Daka. Sipas tij, presidentja Osmani ka bërë shkelje të Kushtetutës në këtë rast.

“Opozita e ka me shkelje të Kushtetutës edhe nuk ka bërë zë. Prej shkarkimit të ish-kryetares së KQZ-së Valdete Daka e radhazi që ato gjëra po t’i dërgonin në Gjykatë Kushtetuese, ishin nxjerrë që presidentja e ka shkel Kushtetutën”. 

Limaj ka folur edhe për procesin e liberalizimit të vizave, për të cilin thotë se kryeministri aktual nuk ka fare merita në këtë proces.

“Nuk janë rezultat i tij asnjëra nga këto. Procesi i liberalizimit të vizave ka përfunduar në vitin 2017 kur Komisioni Evropian kur kemi dalë në konferencë shtypi dhe komisionerja ka deklaruar që Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizim, dhe vonesat pas 2017-ës, janë vonesa burokratike të Bashkimit Evropian të cilët më e tepruan e keqtrajtuan këtë vend për 12 vjet” tha ai.

/TV Arbëria

Powered by WordPress