Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > AGK kërkon që në rastet e sulmeve ndaj gazetarëve të ndërmerren hetime profesionale

AGK kërkon që në rastet e sulmeve ndaj gazetarëve të ndërmerren hetime profesionale

Bordi i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit shprehu sot shqetësimet për sigurinë dhe shkeljen e të drejtave të gazetarëve, si dhe nevojën për respektimin e mediave të lira, e të pavarura.

Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha u shpreh se vit pas viti po shtohen sulmet ndaj gazetarëve.

”Në pesë vitet e fundit, AGK ka regjistruar 120 raste kërcënimesh, ndaj gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të medias. Gjithsej 17 raste janë regjistruar në vitin 2018, 21 raste vitin 2019, 24 raste në vitin 2020, 29 raste në vitin 2021 dhe 33 raste gjatë vitit 2022. Vetëm këtë vit deri në momentin që po flasim janë shënuar 11 raste sulmesh, me më të rëndin atë fizik kundër gazetarit Valon Syla. Kështu, numri i rasteve të kërcënimeve, sulmeve e ngacmimeve ndaj gazetarëve është rritur vit pas viti”, tha Rexha.

Ai u shpreh se sulmet ndaj gazetarëve, përveç që paraqesin vepra penale kundër jetës, ato cenojnë edhe një prej lirive bazë në një shoqëri demokratike, që është liria e shprehjes.

Ai kërkoi që rastet e sulmeve ndaj gazetarëve të trjatohen me prioritet të lartë dhe sulmuesit të marrin dënime që reflektojnë rrezikshmërinë që iu kanoset gazetarëve e jo të shqiptohen dënime të lehta.

Rexha mes tjerash tha se jo vetëm reagimi i ndërkombëtarëve ndaj sulmit të gazetarit, Valon Syla, por edhe reagimi i AGK-së, i gjithë shoqërisë në Kosovë ka ndikuar që të ndryshojë vepra penale për rastin e gazetarit Valon Syla.

“Agjencia i trajton lëndët që i dërgojnë gazetarët, problemi është tek institucionet që i vonojnë përgjigjjet, duke u nisur nga qeveria dhe institucionet tjera. Konsiderojmë se një pjesë e tyre bëhet me qëllim në mënyrë që të humbet edhe relevanca e lajmit që trajtojnë gazetarët”, tha Rexha.

AGK u shpreh e gatshme të ndihmojë për çdolloj bashkëpunimi që ka për qëllim sigurinë e qytetarëve.

Dita Botërore e Lirisë së Shtypit është një ditë reflektimi për gazetarët dhe aktorët e tjerë mediatikë mbi sfidat e tyre për të garantuar lirinë e shtypit, por edhe për të siguruar një gazetari etike dhe profesionale. Po aq me rëndësi, Dita Botërore e Lirisë së Shtypit është një ditë për të treguar përkrahjen për mediat, të cilat janë objekt i kufizimeve, apo eliminimit, në përpjekjet e tyre për të arritur lirinë e shtypit.

3 Maji gjithashtu është një ditë mirënjohjeje për gazetarët, të cilët kanë qenë të kërcënuar, të sulmuar dhe për ata të cilët kanë humbur jetën e tyre duke ndjekur një lajm.

/TV Arbëria