Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Politika > Publikohet dokumenti, ky është “vizioni” i Kurtit për statutin e Asociacionit

Publikohet dokumenti, ky është “vizioni” i Kurtit për statutin e Asociacionit

Pas takimit të Brukselit, kryeministri Albin Kurti ka prezantuar vizionin e tij për draft-statutin për Asociacionin, të cilin e ka prezantuar edhe gjatë takimit me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq.

“Në propozimin që titullohet “Vizioni i Kryeministrit, z. Albin Kurti, për zbatimin e Nenit 7 të Marrëveshjes Themelore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë” sqarohet 10 pikat përmbajtjesore të tij.

Para se të specifikohen pikat e dokumentit, tregohet se statuti duhet të jetë në përputhje me disa dokumente të rëndësishme.

Zbatimi i nenit 7 të Marrëveshjes Bazë, bashkë me nenin 10, duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës(me vendimin shoqërues të Gjykatës Kushtetuese të datës 23 dhjetor 2015) me letrën Garantuese të ish-përfaqësueses së lartë Mogreni drejtuar kryeministrit të Kosovës(data 24 gusht 2015) dhe me qëndrimin e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (deklaratën e Cholet dhe Escobar-it, të datës 30 janar 2023)”, është thënë në propozimin e kryeministrit.

Në tri pikat e para propozimi tregon për të drejtat që duhet t`i gëzon komuniteti serb.

Kurse, në piken 5 dhe 6 flitet për komunikimin e Asociacionit me Qeverinë e Kosovës dhe mekanizmat tjerë.

“Do të parasheh një kanal të drejtpërdrejt komunikimi me Qeverinë e Republikës së Kosovës, mes të tjerash, përmes pjesëmarrjes në Këshillin Konsultativ për Komunitete”, thuhet në piken 4 të propozimit.

Në piken vijuese tregohet se ky mekanizëm mund të financohet edhe nga Serbia, duke i respektuar disa procedura.

“Do të ofroj mundësi për tu financuar nga buxheti i Kosovës, organizatave ndërkombëtare, institucione dhe donacione të vendeve të treta, duke përfshirë nga Serbia, të cilat duhet të dërgohen të gjitha përmes procedurave dhe rregullave të Ministrisë së Financave të Kosovës”, thuhet në pikën 5 të propozimit.

Në piken 6 thuhet se Asociacioni do të parashikojë mundësinë e bashkëpunimit me të gjitha institucionet, përfshirë komunat, për qëllime të mbështetjes së punës dhe misionit të tyre për anëtarët e saj.

“Do të njohë plotësisht karakteristikat kushtetuese të Republikës së Kosovës siç janë respektimi i pavarësisë, uniteti i sistemit institucional, integriteti territorial i Republikës dhe do të kontribuojë në realizimin e plotë të saj në praktikë. Do të përdorë ligjet aktuale për të ofruar mundësinë e ushtrimit të disa shërbimeve jofitimprurëse përmes krijimit të shoqatave në fushën e kulturës, artit, shkencës dhe arsimit, si dhe shoqata të studiuesve dhe të tjera për shprehjen, nxitjen dhe zhvillimin e identiteti serb”, thuhet në pikën 7 dhe 8 të propozimit.

Në piken e parafundit thuhet se ai do të parashikojë procedurën e regjistrimit në organin qeveritar të Kosovës përgjegjës për administratën e përgjithshme dhe procedurat për pajtueshmëri me ligjin e Kosovës në fuqi.

“Do të sigurojë dhe promovojë respektimin e pluralizmit politik, lirinë e fjalës, lirinë e asociimit dhe të drejtën për të mbrojtur lirisht identitetin politik dhe fetar të serbëve në Kosovë”, thuhet në piken e fundit të propozimit.

Në fund të tekstit, kërkohet vullneti i të dy vendeve për të treguan përkushtimin e tyre për respektimin e të drejtave të komuniteteve të tyre.

“Së fundi, si një angazhim modest shoqërues që mbështetet në frymën e natyrshme liberale të Marrëveshjes Themelore, e cila, në preambulën e saj nënvizon se “mbrojtja e pakicave kombëtare është kusht themelor për paqen”, ky projekt duhet të mishërojë vendosmërinë e përbashkët të Kosovës dhe Serbisë për të qëndruar të sinqertë dhe të përkushtuar për të siguruar që komunitetet e tyre të afërme jo-shumicë të jetojnë sipas të njëjtave standarde të mbrojtjes së të drejtave të njeriut të zakonshme midis shoqërive demokratike dhe kohezive që nuk lënë askënd pas”, është thënë në propozimin e kryeministrit Kurti.

Refuzohet drafti i Ekipit Menaxhues

Gjatë takimit në mes të delegacioneve të Kosovës dhe të Serbisë, Ekipi Menaxhues e ka prezantuar një draft-statut të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i cili është refuzuar nga pala kosovare.

Pas takimit, kryeministri Albin Kurti ka bërë me dije se ai propozim ishte kundërkushtetues.

“Dëgjuam me vëmendje ekipin menaxhues që prezantoi një draft statut me gjithsej 67 nene. Një draft statut i tillë ishte fundamentalisht i papajtueshëm me ligjshmërinë, kushtetutshmërinë, të drejtat e pakicave sipas standardeve evropiane, por përkundër kësaj jemi të interesuar të gjejmë zgjidhje. Unë propozova një draft vizion që tregon kornizën që rregullon të drejtat e pakicave sipas të drejtave evropiane. Besoj se do të merret parasysh nga Borrell dhe Lajcak. Serbët do të kenë të drejta dhe bashkërisht do të kemi shoqëri që nuk lë askë prapa”, është shprehur Kurti.

Kurse, përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell, u shpreh se këndvështrimet e palëve sa i përket Asociacionit ishin të ndryshme.

“Kurti i dha këndvështrimet e tij për mbrojtjen e komunitetit serb në Kosovë. Këndvështrimet mes palëve janë të ndryshme sa i përket Asociacioinit të Komunave me Shumicë Serbe. Dua të inkurajoj të dyja palët që të angazhohen në mënyrë konstruktive për këto negociata, dhe të jenë të gatshme për të bërë kompromise. Procesi duhet të udhëzohet nga marrëveshjet e kaluara”, ka thënë Josep Borrell.

/TV Arbëria

Powered by WordPress