Rusia ka municione të mjaftueshme për të arritur sukseset që kërkon në ofensivën ushtarake në Ukrainë, sipas të dhënave të shërbimeve sekrete britanike. Moska i ka dhënë industrisë së armatimit prioritet kryesor, thuhet në një raport të shkurtër të Ministrisë së Mbrojtjes në Londër, megjithatë kjo degë nuk i përgjigjet ende si duhet nevojës së madhe për armatim në luftë.
Udhëheqja ruse kërkon të arrijë suksese në fushëbetejë, në një kohë që forcat përgjegjëse për logjistikën nuk shënojnë përmirësime. Britanikët marrin si shembull shkarkimin nga detyra të zëvendësministrit të Mbrojtjes, Mihail Misinzev që ka qenë përgjegjës për tetë muaj rresht për furnizimin teknik dhe me materiale të ushtrisë.
Javën e kaluar u konfirmua zëvendësimi i tij në këtë post me gjeneralkolonelin Aleksej Kusmenkov. Ministria e Mbrojtjes në Londër, që nga fillimi i luftës publikon informacione mbi ecurinë e saj duke u bazuar në të dhënat e shërbimeve sekrete, raporton Top News.
Moska e akuzon Londrën për fushata disinformimi. Ndërkohë sipas të dhënave të shërbimeve sekrete amerikane që nga dhjetori në luftimet në Bahmut kanë humbur jetën më shumë se 20.000 ushtarë rusë. Gjysma e tyre janë ushtarë të Wagnerit. Shumica e këtyre të fundit janë të burgosur rusë, që dërgohen në luftë pa përvojë trajnimi luftarak.
Të dhënat nuk mund të verifikohen saktësisht. Numri i përgjithshëm i ushtarëve të vrarë rusë nga dhjetori në Bahmut dhe në rajone të tjera të Ukrainsë konsiderohet më i lartë se 100.000, sipas të dhënave të shërbimeve sekrete.
Drejtori i komunikimit, Kirby nuk bëri publike të dhëna në lidhje me numrin e viktimave tek forcat e armatosura ukrainase.
/TV Arbëria