Autorja e artikujve të revistave që thotë se Donald Trump-i e përdhunoi në dhomën e veshjes të një dyqani rrobash dy dekada përpara se ai të bëhej president, pranoi të hënën se nuk pati ndjekur vetë këshillat e saj për lexuesit, ku u sugjeronte atyre që t’i raportonin sulmet seksuale në polici.
E. Jean Carroll i tha jurisë së gjykatës federale në Manhatan se ajo lindi në vitin 1943 dhe ishte “anëtare e një brezi të heshtur”, të cilët i kishin mësuar “ta mbanin kokën lart dhe të mos ankoheshin”. Ajo tha se i kishte telefonuar policisë vetëm një herë në jetën e saj, për mundësinë e dëmtimit të kutisë postare të shtëpisë ku ajo banonte gjatë festës së Hallouinit.
Zonja Carroll foli kështu për perceptimin e saj për t’iu drejtuar policisë, ndërkohë që avokati i zotit Trump, Joe Tacopina, i paraqiti asaj gjatë seancës së pyetjeve rastet kur ajo kishte këshilluar lexuesit e revistës Elle që të kontaktonin policinë apo të merrnin tek numri i telefonit i caktuar për personat që bëhen viktima të sulmeve.
“Fakti që nuk shkova ndonjëherë në polici nuk është befasues për dikë në moshën time”, tha ajo. “Nuk na mësonin që të merrnim në telefon policinë, kurrë”.
Zonja Carroll, e cila po dëshmon për të tretën ditë në gjyqin për padinë civile të paraqitur nga ajo në muajin nëntor, ka thënë se zoti Trump e ka përdhunuar në pranverën e vitit 1996 në një dyqan luksoz në Manhatan, pasi shkuan së bashku tek dhoma e veshjes në formë flirtimi dhe duke qeshur, deri në momentin kur zoti Trump ishte bërë i dhunshëm. Ajo tha se më pas e pati shtyrë me gjunjë dhe ishte larguar.
Ish-Presidenti Trump, tashmë në moshën 76 vjeçare, ka mohuar të ketë ndodhur përdhunimi, apo të ketë qenë në dyqan me zonjën Carroll, apo ta ketë njohur atë përtej momenteve kur janë fotografuar si pjesë e një grupi në periudha të tjera. Ai nuk ka marrë pjesë në procesin gjyqësor, që pritet të zgjasë gjatë gjithë kësaj jave.
Dëshmia më e re e zonjës Carroll erdhi menjëherë pasi avokati Tacopina i kërkoi gjyqtarit Lewis A. Kaplan, i cili po mbikëqyr procedurat civile në gjykatën federale, të shpallte ndaljen e procesit gjyqësor për shkak të vendimeve që ai mori që avokati Tacopina tha se favorizonin zonjën Carroll.
Gjykatësi duket se e refuzoi kërkesën përpara se të rifillonte dëshmia të hënën, duke e pyetur avokatin Tacopina nëse mocioni që gjeti në tryezën e tij në mëngjes ishte depozituar.
“Tani është refuzuar. Dakord, sillni jurinë”, tha Gjykatësi Kaplan.
Zonja Carroll ngriti një padi kundër zotit Trump sipas një ligji të shtetit të Nju Jorkut që i lejon viktimat e sulmeve seksuale të padisin përkohësisht të tjerët për sulme që kanë ndodhur edhe dekada më parë.
Mes një morie mohimesh dhe fyerjesh publike nga ish-Presidenti Trump që e shtynë zonjën Carroll të shtojë në padi edhe një akuzë për shpifje, zoti Trump ka këmbëngulur se zonja Carroll ishte e motivuar nga arsye politike dhe nga një dëshirë për të shitur kopje të kujtimeve të vitit 2019, ku ajo zbuloi për herë të parë publikisht pretendimet e saj për përdhunim, ndërsa zoti Trump ishte në detyrën e presidentit.
Zonja Carroll ka dëshmuar se do ta kishte mbajtur përgjithmonë të fshehtë akuzën e saj nëse nuk do të kishte lindur lëvizja #MeToo, e cila fitoi rëndësi në vitin 2017.
Gjatë dëshmisë të enjten, zonja Carroll u zemërua ndërsa avokati Tacopina e pyeste për mënyrën se si ajo pretendon se reagoi ndaj sulmit nga klienti i tij.
“Nuk mund të më ndëshkosh sepse nuk bërtita”, i tha zonja Carroll me forcë avokatit Tacopina. Ajo kishte shpjeguar në dëshminë e mëparshme se “nuk ishte një person që bërtet – jam një luftëtare”.
Ajo tha se nëse do të gënjente për sulmin, do t’u kishte thënë njerëzve se kishte bërtitur sepse “më shumë njerëz do të më kishin besuar”.
Por, ajo theksoi se “nuk kam nevojë për një justifikim pse nuk bërtita”.
Në kërkesën e tij të hënën për ndaljen e procesit gjyqësor, avokati Tacopina u ankua se Gjykatësi Kaplan e refuzoi pyetjet drejtuar zonjës Carroll që ajo të shpjegonte pse nuk bërtiti, përse nuk i tregoi policisë, ose përse nuk u përpoq më pas të merrte pamjet nga kamerat në dyert e dyqanit për të provuar se ajo dhe zoti Trump kishin qenë atje së bashku.
/TV Arbëria