Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha se forcat e inteligjencës turke kanë vrarë liderin e Shtetit Islamik, Abu Hussein al-Qurashi në Siri.
“Ai person u neutralizua dje si pjesë e operacionit të Organizatës Kombëtare të Inteligjencës turke në Siri”, tha Erdogan në një intervistë për televizionin TRT Turk.
Erdogan tha se organizata e inteligjencës e ndoqi Qurashin për një kohë të gjatë.
Burimet siriane lokale dhe të sigurisë thanë se bastisja u zhvillua në qytetin verior sirian të Jandaris, i cili është nën kontrollin e grupeve rebele të mbështetura nga Turqia, dhe një nga më të goditurit në tërmetin e 6 shkurtit që goditi Turqinë dhe Sirinë.
Ushtria Kombëtare siriane, fraksioni i opozitës në zonë, nuk kishte asnjë komentlidhur me këtë.
Një nga banorët tha se përleshjet kanë nisur në periferi të Jandarisit në natën e së shtunës në të dielën, dhe kanë zgjatur rreth një orë para se banorët kanë dëgjuar një shpërthim të madh.
Zona më vonë u rrethua nga forcat e sigurisë për të parandaluar që dikush t’i afrohej zonës. ISIS zgjodhi al-Qurashi si lider të saj në nëntor 2022, pasi udhëheqësi i mëparshëm i IS u vra në një operacion në Sirinë jugore.
Shteti Islamik mori kontrollin e pjesëve të mëdha të Irakut dhe Sirisë në vitin 2014 dhe udhëheqësi i tij në atë kohë, Abu Bakr al-Baghdadi, shpalli një kalifat islamik në territorin ku jetonin miliona njerëz.
Por ISIS humbi kontrollin e territorit pas fushatave nga forcat siriane dhe irakiane të mbështetura nga SHBA, si dhe forcat siriane të mbështetura nga Irani, Rusia dhe paraushtarakë të ndryshëm.
Anëtarët e mbetur të ISIS janë fshehur kryesisht në zonat e largëta të të dy vendeve vitet e fundit, megjithëse janë ende të aftë të kryejnë sulme të papritura në shkallë të gjerë.
/TV Arbëria