Ministria e Financave i ka njoftuar qytetatarët se kanë afat edhe nesër për ta kryer pagesën e këstit të parë të tatimit në pronë.
Përmes një postimi në faqen zyrtare, Ministria ka njoftuar se Projektligji i ri për Tatimin në Pronë, përmes së cilit parashihet falja deri në 100 euro e faturave për këtë vit, është dërguar në Kuvend, por ende s’i ka kaluar të dyja leximet.
Ministria ka sqaruar se falja vlen edhe për qytetarët që tashmë kanë paguar faturën e tatimit në pronë, dhe me rastin e hyrjes së ligjit në fuqi, pagesa që kanë bërë, do t’u llogaritet si parapagim për këstet e tjera.
“Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njofton qytetarët se bazuar në Ligjin për Tatimin në Pronë, pagesa e tatimit në pronë mund të bëhet në dy këste. Afati për pagesën e këstit të parë është 30 prilli, ndërsa për këstin e dytë është fundi i muajit shtator. Ne si Qeveri veç se e kemi dërguar në Kuvend Projektligjin e ri për Tatimin në Pronë, i cili përmes një dispozite kalimtare mundëson faljen e deri në 100 euro të faturave për vitin 2023, mirëpo Projektligji ende nuk ka kaluar të dyja leximet në Kuvend. Theksojmë që, bazuar në Projektligjin e Tatimit në Pronë, falja vlen edhe për qytetarët që tashmë kanë paguar faturën e tatimit në pronë, dhe me rastin e hyrjes së ligjit në fuqi, pagesa që kanë bërë, u llogaritet si parapagim për këstet e tjera”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
/TV Arbëria