Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Sport > Dhuna në hendboll dhe dyshimet për trukim në basketboll, Osmani: Rastet në prokurori

Dhuna në hendboll dhe dyshimet për trukim në basketboll, Osmani: Rastet në prokurori

Në fundjavën e kaluar sporti i Kosovës u trondit nga dy zhvillime negative. Një përleshje fizike në ndeshjen e hendbollit ndërmjet Trepçës dhe Vushtrrisë ku pati të lënduar si dhe dyshimet e ngritura nga Sigal Prishtina për trukim të rezultatit të përballjes së tyre me Trepçën duke përfshirë gjyqtarët grekë që ishin caktuar për ta ndarë drejtësinë, ngjallën reagime të shumta nga të gjithë akterët e përfshirë.

Për zëvendësministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, këto ishin dy zhvillime mjaftë shqetësuese. Ajo thotë se në sportin e Kosovës nuk ka vend për ngjarje të tilla, derisa konfirmon se këto dy raste tashmë janë duke u hetuar nga prokuroria.

Osmani: Rasti i dhunës në hendboll dhe ai për dyshim trukimesh në basketboll janë dorëzuar në prokurori

“Ishte shumë shqetësues për sa i përket komunitetit sportiv. Duhet të jemi të vetëdijshëm që këto gjëra as nuk kanë nisur e as nuk do të përfundojnë në Kosovë. Janë një ndër dukuritë të cilat janë më sfiduese për komunitetin sportiv në nivel global, ndoshta dy kërcënuesit më të mëdhenj së bashku me dopingun të komplet strukturës në nivel global, mirëpo në sportin kosovar nuk ka hapësirë për ngjarje të tilla. Unë falënderoj mediat dhe të gjithë ata që i kanë bërë publike këto raste, Këshilli për Parandalimin e Dhunës veçse ka filluar trajtimin e këtyre çështjeve përgjatë vikendit dhe se të dy rastet janë dorëzuar në prokurori duke marr për bazë se rregullorja e re e funksionimit të këtij këshilli jep të drejtën edhe të procedimit të rasteve në prokurori dhe uroj që sa më shpejtë të zbardhen dhe ata të cilët janë të përfshirë në këto raste, të identifikohen dhe të dënohen ashtu siç e meritojnë”, tha Osmani.

Kosova ka shpallur zyrtarisht kandidaturën për aplikim për organizimin e Lojërave Mesdhetare në Kosovë në vitin 2030. Organizimi i një ngjarje të tillë, sipas Osmanit, do të shënonte një moment historik për Kosovën. Për këto lojëra, Osmani thotë se Kosova ka aplikuar me një koncept të veçantë.

Osmani: Lojërat Mesdhetare në Kosovë do të shtriheshin në të gjithë vendin

“Kosova ka shprehur interesim për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030 me një koncept të veçantë për dallim nga përvojat e së kaluarës, jo me fokus vetëm në një qytet, mirëpo marr për bazë territorin relativisht të vogël të Republikës sonë, koncepti është që investimet dhe organizimi të shtrihet në të gjitha komunat e Kosovës, me fokus të veçantë tek shtatë komunat më të mëdha… Të arriturit që ta fitojmë organizimin e këtyre lojërave do të ishte moment historik për Kosovën, marr për bazë gjendjen aktuale të infrastrukturës që e kemi fizike dhe sportive, marr për bazë kapacitete njerëzore, profesionale të cilat i nevojiten sportit në Kosovë.”, theksoi Osmani

Investimet në stadiume e palestra sportive Osmani thotë se do të jenë më se të nevojshme në mënyrë që infrastruktura sportive të jetë e gatshme për organizimin e Lojërave Mesdhetare.

Osmani: Kemi nevojë për rinovim e ndërtim të stadiumeve e palestrave

“Kosova ka nevojë shumë të thellë për investime në infrastrukturën fizike marr për bazë që janë këto palestra sportive të cilat ende sot po i shfrytëzojmë për realizim të aktivitetit sportiv janë ndërtuar pikërisht në vitet ’79-ta me qëllim të organizimit të një eventi ndërkombëtar, aso kohe që ishte Kampionati Botëror për vajza, për të rinj në hendboll dhe ne sot ende e shfrytëzojmë atë infrastrukturë… Do të kemi nevojë për stadiume të cilat veçse janë në proces disa prej tyre, do të kemi nevojë për renovim të palestrave ekzistuese, pse jo edhe ndërtim të atyre te rejave. Pikërisht, të gjitha këto, ose janë pjesë e kornizës afatmesme të shpenzimit aktualisht të ministrisë sonë, ose janë pjesë e buxhetit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit sa i përket pjesës së infrastrukturës ose janë të parapara në strategjinë e sportit… Lojërat Mesdhetare do të jenë një mundësi ose do të shërbejnë si një kornizë e cila në një formë do të na obligojë që të procedojmë pak më shpejtë me këto planifikime të cilat i kemi, e të cilat në fund do t’i sjellin këtë promovimin dhe ngritjen e imazhit të shtetit.”, tha Osmani.

Duke folur për projektin “Kosova, shtet i xhudos”, Osmani tha se zbatimi i tij në teren është në rrugën e duhur. Ajo thotë se ky sport ka filluar të prezantohet nëpër të gjitha shkollat publike në Kosovë.

Osmani: Projekti “Kosova shtet i Xhudos” po vazhdon së zbatuari

“Federata e Xhudos në bashkëpunim edhe me institucionet e tjera qendrore e lokale, për shkak se siç e dini ky projekt është program qeveritar në përbërje të shtatë ministrive të ndryshme relevante, janë duke bërë një punë të jashtëzakonshme. Tashmë veç ka filluar jetësimi i saj, përveç pjesës së shtrirjes së sportit nëpër shkollat publike të Kosovës që ka filluar me demonstrimin e këtij sporti tek fëmijët dhe nxënësit në shkollat e Kosovës, po ashtu është jetësuar dhe ka filluar rritja e numrit të trajnerëve të xhudos të cilët janë të licencuar dhe të cilët po e kanë mundësinë që të mësojnë nga më të mirët e më të mirëve të këtij sporti, pastaj kemi filluar edhe me angazhimin e xhudistëve në ushtrinë e Kosovës… Kosova ka fituar të drejtën e organizimit të një kampionati të ri evropian ‘Europian Championship Open’, e cila do të mbahet në dhjetor të këtij viti që po ashtu është një komponent e paraparë në programin ‘Kosova, shtet i shudos’, do të thotë për sa i përket zbatimit, programi po ecën shumë mirë.”, theksoi ajo.

Ajo bëri të ditur gjithashtu se Qendra Nacionale e Xhudos në Pejë do të zgjerohet, por pritet të ndërtohet edhe një qendër tjetër ku kampionët e botës në xhudo mund të vijnë dhe të zhvillojnë kampe stërvitore në Pejë.

Javë më parë, në pjesën veriore të Kosovës, Policia e Kosovës ndaloi zhvillimin e disa garave në futboll që ishin në kuadër të Federatës së Futbollit të Serbisë dhe Osmani konfirmon për KosovaPress se ka pasur tentativa për krijimin e një lige të re, jashtë FFK-së, por se kjo është një betejë që po luftohet së bashku me policinë dhe se do të kërkohet edhe intervenimi i UEFA-s dhe FIFA-s.

Osmani: Kishte tentative për krijimin e një lige të futbollit në kuadër të Serbisë brenda Kosovës

“Në këtë fazë ka pasur disa tentativa për krijimin e një lige të re të futbollit në Kosovë në kuadër të Federatës së Serbisë. Komunikim me UEFA-n dhe FIFA-n në këtë drejtim ne nuk kemi bërë, mirëpo ka bërë Federata e Futbollit të Kosovës të cilët menjëherë kanë reaguar me të marr vesh për inicimin e kësaj lige të re dhe padyshim e kemi parë edhe atë reagim të Federatës së Serbisë në FIFA dhe UEFA ku bënë thirrje mbi gjëra të pavërteta e të pathëna që ne nuk po e lejojmë zhvillimin e aktivitetit sportiv në Kosovë… Kjo lloj beteje, konsiderojmë që mënyra e duhur, ajo e rregullta dhe më e mira e mundshme është që të kalojë përmes organeve ndërkombëtare, ku edhe Kosova është anëtare me të drejta të plota”, deklaroi Osmani.

/TV Arbëria

Powered by WordPress