Këshilltarët komunal në veri të Mitrovicës e kanë miratuar kërkesën për hapjen për qarkullim të urës kryesore mbi lumin Ibër. Kjo është bërë me propozimin e asamblistes nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Ferati-Doli. Kjo e fundit thotë se kërkesa ka qenë edhe e qytetarëve serbë.
Ajo thekson se pamundësia për të qarkulluar me vetura në këtë pjesë, u ka cenuar lirinë e lëvizjes dhe është shkaktuar kaos i madh.
Ferati-Doli: Kjo është një kërkesë e kamotshme e qytetarëve në veriun e Mitrovicës
“Kjo është një kërkesë e kamotshme e qytetarëve në veriun e Mitrovicës që jetojnë, po ashtu edhe të jugut. Rrjedhimisht është e drejtë e secilit person për të lëvizur lirshëm në qytetin e vet. Rrjedhimisht ura mbi lumin Ibër, e cila është e lirshme vetëm për këmbësorë po na e cenon edhe shumë lirinë e lëvizjes me vetura. Rrjedhimisht, prej kësaj kaos shumë i madh është i komunikacionit në veriun e Mitrovicës, sidomos tek pjesa e rrethit ku parkohen veturat, rrjedhimisht është e pamundur të ecësh, e lëre më të lëvizësh. Kjo ka qenë një kërkesë e qytetarëve e kamotshme dhe vazhdon të jetë gjithmonë”, thotë ajo.
Ajo shton se situata atje aktualisht është e qetë ndërsa komenton edhe deklaratën e Listës Serbe, të cilët kanë thënë se ky vendim do të ketë pasoja të mëdha për paqen dhe sigurinë.
Ferati-Doli: Kërkesa ka qenë edhe e qytetarëve serbë
“Mua më vjen keq të dëgjojë nga ta (Lista Serbe) këtë deklaratë, por gjithsesi kërkesa nuk ka qenë vetëm e qytetarëve shqiptarë, por ka qenë kërkesë edhe qytetarëve serbë, boshnjakë, turk që jetojnë në veriun e Mitrovicës. Rrjedhimisht kjo është e mirë për gjithë qytetarët dhe na i lehtëson shumë jetën neve”, përfundon ajo.
Lidhur me këtë vendim të autoriteteve lokale ende nuk ka ndonjë reagim nga Qeveria e Kosovës.
/TV Arbëria