Sulmuesi argjentinas, Paulo Dybala po kalon një sezon fantastik me Romën, që prej se iu bashkua nga Juventusi në verën e vitit të kaluar.
Në 34 paraqitje në të gjitha garat me “Giallorossët”, Dybala ka arritur të shënojë 16 gola dhe të regjistrojë tetë asistime.
Forma e tij e shkëlqyer e ka ndihmuar Romën të ngjitet në pozitën e pestë në tabelën e Serie A dhe të vazhdojë garën për një vend në Ligën e Kampionëve, si dhe të arrijë fazën gjysmëfinale të Ligës së Evropës.
Sigurisht, paraqitjet e yllit argjentinas do ta tërheqin vëmendjen e top klubeve evropiane, dhe gazetari i njohur, Fabrizio Romano ka zbuluar dy klauzolat speciale që Dybala ka në kontratën e tij me Romën.
Për klubet italiane që janë të interesuara në Dybala, vlen klauzola e lirimit prej 20 milionë eurove. Por në rast se një skuadër italiane e aktivizon këtë klauzolë, Roma e ka opsionin për ta refuzuar atë duke e aktivizuar opsionin për rritje page nga 3.8 milionë euro në 6 milionë euro në vit.
Ndërkaq, skuadrat jashtë Italisë mund ta blejnë Dybalan për një shumë më të vogël se skuadra italiane. Klauzola prej 12 milionë eurosh vlen për klubet jashtë Italisë, dhe në rast se ndonjë klub e aktivizon këtë klauzolë, Dybala do ta ketë fjalën e fundit nëse dëshiron ta pranojë apo jo.
/TV Arbëria