Kryeministri Albin Kurti nq mbledhjen e Qeverisë foli për dy lajmet e mira që Kosova i mori ditët e fundit.
Kurti foli për liberalizimin e vizave dhe hapin e parë drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës, duke thënë se këtë javë çdo qytetar i Republikës është ndjerë më evropian dhe më afër Evropës.
Ai tha se procesi i liberalizimit të vizave u zhbllokua vitin e kaluar “me shumë punë dhe angazhim” nga Qeveria që ai udhëheq.
“Javën që lamë pas edhe këtë javë çdo qytetar është ndjerë më evropian dhe më afër Evropës. Liberalizimi kishte ngecur, me shumë punë arritëm që ta zhbllokojmë këtë proces. Dua të falënderoj edhe një herë zëvendësministrat dhe stafet e tyre për punën e palodhshme dhe të suksesshme”.
“Nga 1 janari qytetarët mund të udhëtojnë pa viza. Pasaporta jonë do të jetë e fuqishme. Këtë javë u murr një vendim i rëndësishëm në Strasburg. Komiteti i Ministrave votoi për aplikimin e Kosovës në KiE. Mendoj që do të japim kontributin tonë si anëtar të KiE-së. Këto dy vendime të rëndësishme konfirmojnë se jemi në rrugën evropiane, dhe se jemi në rrugën e duhur. Çështja e të pagjeturve është temë prioritare dhe do të vazhdojë të jetë”, tha ai.
/TV Arbëria