Sporti i teqballit për herë të parë do të përfaqësohet në Lojërat Evropiane Krakow dhe Malopolska 2023, të cilat prej 21 qershor – 2 korrik 2023 mbahen në rajonin e Krakowit dhe Malopolskas së Polonisë.
Me këtë rast, Kosovës i janë konfirmuar dy kuota për pjesëmarrje në konkurrencën e meshkujve.
Kualifikimi ka ardhur pas renditjes së mirë të lojtarit Adrien Uka, i cili ndodhet në vendin e 26-të të renditjes botërore.
Falë tij, një kuotë i është mundësuar edhe Krenar Eminit, ku të dy do të garojnë në disiplinën individuale dhe çifte.
Uka karrierën e zhvillon në Francë, ndërsa prej dy vitesh përfaqëson Kosovën në garat ndërkombëtare të teqballit. Emini ka marrë pjesë në garat ndërkombëtare gjatë këtij viti dhe është duke kërkuar përvojën në gara të nivelit të tillë.
Kosovës më herët i janë konfirmuar edhe një kuotë me Arbër Bajran në taekëondo, ndërsa ekipi ynë do të përbëhet edhe me një numër të madh të sportistëve të atletikës dhe boksierëve, për të cilët Lojërat Evropiane vlerësohen edhe si Kampionat Evropian.
Edhe pse ende jo zyrtarisht, në ditët në vijim pritet të kemi konfirmim për pjesëmarrje edhe në sportet e shenjëtarisë sportive, shigjetarisë, çiklizmit dhe kajakimit.
/TV Arbëria