Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Mbi 300 amendamente në raportin e Parlamentit Evropian për Kosovën

Mbi 300 amendamente në raportin e Parlamentit Evropian për Kosovën

Plot 305 amendamente janë paraqitur nga deputetët e Parlamentit Evropian në draft-raportin vjetor për Kosovën, të cilin e ka përpiluar raportuesja nga radhët e Të Gjelbërve, Viola von Cramon.

Për këto amendamente dhe për tekstin në tërësi do të votohet më 26 prill në takimin e Komisionit parlamentar për çështje të jashtme, ndërsa, në muajin maj, raporti duhet të shkojë për miratim në seancë plenare të Parlamentit Evropian.

Një numër i madh i amendamenteve pritet të hidhen poshtë apo të tërhiqen, sepse kanë të bëjnë me procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën. Ky proces tashmë është përmbyllur në Parlamentin Evropian, me miratimin e vendimit përfundimtar dhe me nënshkrimin e aktit ligjor, i cili është bërë më 19 prill mes Parlamentit Evropian dhe Këshillit të BE-së.

Megjithatë, ka edhe amendamente nga deputetët e së djathtës ekstreme, të cilët kërkojnë që liberalizimi i vizave, por edhe procesi i zgjerimit të BE-së të mos ndodhin, sepse, sipas tyre, paraqesin rrezik për BE-në.

Për shembull, në paragrafin ku thuhet se “zgjerimi i BE-së është dëshmuar të jetë mjeti më i mirë për zgjerimin e paqes në Evropë”, deputeti gjerman nga radhët e partisë së djathtë Alternativa për Gjermaninë, Bernhard Zimniok, ka propozuar që të thuhet se zgjerimi “ka dëshmuar të jetë një prej politikave më destabilizuese në 30 vjetët e fundit”.

Deputetët e ekstremit të djathtë nga Franca, Jean-Lin Lacapelle dhe Thierry Mariani, kanë propozuar që në tekst të raportit për Kosovën të thuhet se ”Kosova ka dhënë numrin më të madh te xhihadistëve në Siri dhe Irak nga Evropa, krahasuar me numrin e banorëve”.

Edhe në të kaluarën, deputetë të këtyre rrymave kanë tentuar që në raport, Kosova të paraqitet si vend nga i cili vjen rreziku për sigurinë e Evropës, por përpjekjet e tilla nuk kanë gjetur mbështetje nga shumica në Parlamentin Evropian.

Numri më i madh i amendamenteve kërkon që të përshpejtohet procesi i zgjerimit dhe që BE-ja të ecë përpara drejt përfshirjes së Kosovës në këtë proces, po ashtu.

Shumica e amendamenteve të propozuara kërkojnë që të mirëpritet aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe që vendet anëtare ta miratojnë vendimin në drejtim të dhënies së statusit të kandidatit.

Sikur edhe viteve të mëhershme, ka një numër të madh të amendamenteve të paraqitura nga deputetët që vijnë nga vendet, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës – sidomos Spanja – përmes së cilave kërkohet që të hiqen të gjitha pjesët e tekstit që Kosovës i referohen si shtet sovran dhe i pavarur.
Në tentimet e mëhershme, kërkesat e tilla janë hedhur poshtë, sepse në Parlamentin Evropian vendimet merren me shumicë votash dhe aty ekziston një shumicë e madhe që mbështet sovranitetin e Kosovës, raporton REL.

/TV Arbëria