Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi tha se kanë për synim që ndër vite të rritet numrin e bursistëve.
Ai ka sqaruar se bursistët, të cilët janë të moshës 14-21 vjeç, do të mbështeten nga KOK-u me nga 150 euro në muaj për gjatë tërë vitit 2023.
“Kemi kënaqësinë të jemi sot bashkë me 32 bursistë Shpresa Olimpike 2023, me të cilët do të nënshkruajmë kontratat për mbështetje. Na gëzon fakti që kemi rritur numrin e bursave për Shpresa Olimpike, nga 25 në 32, numër ky që synojmë ta rritim edhe në vitet e ardhshme”.
“Bursistët, të cilët janë të moshës 14-21 vjeç, do të mbështeten nga KOK-u me nga 150 euro në muaj për gjatë tërë vitit 2023. Për këtë mbështetje duhet falënderuar edhe partnerin tonë të artë, Bankën Kombëtare Tregtare, me të cilën jemi duke rrugëtuar së bashku drejt sukseseve të reja”.
“Bursistët janë përzgjedhur nga komisioni i sportit, ndërsa të gjithë këta vlerësohen që kanë potencial për të ardhmen. Krahas kësaj mbështetje, muaj më parë kemi rritur mbështetjen edhe bursistët olimpikë Paris 2024, ndërsa për herë të parë kemi filluar dhënien e bursave për trajnerë”, tha ai.
Sportistja Lirika Deva, tha se ky sezon ka qenë shumë i mirë pas mbështetjes së KOK-ut.
“Këtë sezon e kemi pasur shumë të mirë për shkak të përkrahjes së Komitetit Olimpik”, tha ajo.
Kryetari i Federatës së Mundjes, Naim Muja, tha se do të mundohen që punën që është duke e bërë KOK për sportistë të i’u shpërblejnë.
Sportistët që përfituan bursa janë nga Federata e Xhudos, Federata e Boksit, Federata e Gjimnastikës, Federata e Kajakimit, Federata e Ping-Pongut, Federata e Triathlonit, Federata e shenjëtarisë, Federata e Mundjes, Federata e Taekwondo, Federata e Notit, Federata e Tenisit, Federata e Volejbollit, Federata e Çiklizmit dhe Federata e Basketbollit.
/TV Arbëria