Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Shqipëri > Nikolla priti një delegacion italian: Mirënjohjës Italisë për mbështetjen e Shqipërisë

Nikolla priti një delegacion italian: Mirënjohjës Italisë për mbështetjen e Shqipërisë

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla priti sot delegacionin e Komisionit të Jashtëm dhe Mbrojtjes të Senatit të Italisë, të kryesuar nga kryetarja, Stefania Gabriella Anastasia Craxi.

Nikolla u shpreh se i janë mirënjohjës Italisë për mbështetjen e vendosur të zhvillimit dhe demokratizimit të Shqipërisë.

Ajo ka potencuar se shpreson që Italia të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në KiE dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare.

“Shqipëria dhe Italia, Kuvendi dhe Senati, jemi të angazhuar për të kontribuar në Partneritetin Strategjik dhe bashkëpunimin e shkëlqyer dypalësh. Ne i jemi mirënjohjës Italisë për mbështetjen e vendosur të zhvillimit dhe demokratizimit të vendit tonë si edhe për kontributin si avokatja më e fuqishme e integrimit evropian të Shqipërisë. Shqipëria dhe Italia janë partnerë në NATO, në mbështetjen e Ukrainës dhe në kontributet për mbrojtjen e sigurisë e të paqes në rajon, kontinent dhe në botë. Dëshirojmë e shpresojmë që Italia të mbështesë fort anëtarësimin e Kosovës në KiE dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare. Në bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Italisë nuk prevalojnë interesat, por miqësia, e cila i ka rrënjët në lidhjet e fuqishme historike e shpirtërore mes popujve tanë.”, tha Nikolla.

Ndërsa, kryetarja e Komisionit të Jashtëm dhe Mbrojtjes të Senatit të Italisë, Stefania Gabriella Anastasia Craxi vuri në dukje se Shqipëria dhe Italia, përveçe dy vende tradicionalisht e historikisht mike të ngushta, janë partnerë në përballimin dhe zgjidhjen e konflikteve të vështira gjeopolitike.

Siç u bë e ditur, Italia do të vijojë të mbështesë integrimin evropian të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor dhe nuk ka një agendë tjetër përveç të ardhmes evropiane të rajonit. Po ashtu, Italia mbështet dialogun Kosovë-Serbi, vlerëson rolin lider të Shqipërisë në rajon, mbështet nismën e bashkëpunimit rajonal mes Shqipërisë, Serbisë e Malit të Zi dhe nxit vendet e tjera t’i bashkohen kësaj nisme. Ndërkaq, për anëtarësimin e Kosovës në KiE dhe organizata të tjera ndërkombëtare, Italia do të nxisë edhe diplomacinë paralele.

Në përbërje të delegacionit ishin edhe senatori Luigi Spagnolli, Ambasadori Fabrizio Bucci dhe miq të tjerë parlamentarë e diplomatë italianë.

/TV Arbëria

Themes by WordPress