Qeveria e Kosovës ka reaguar pas miratimit të vendimit final për liberalizimin e vizave duke thënë se ky është një moment kyç i përafrimit të Kosovës me familjen evropiane.
Në komunikatën e Qeverisë, thuhet se falë punës në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit, u arrit zhbllokimi i këtij procesi.
“Liberalizimi i vizave tashmë është realitet. Ditën e sotme u votua pozitivisht në Parlamentin Evropian dhe vendimi final mbi liberalizimin e vizave. Ai do të nënshkruhet zyrtarisht ditën e nesërme në Strasbourg nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së, ku do të jetë prezent dhe zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.
Sipas Qeverisë, vendimi do të publikohet në gazetën zyrtare dhe hyn në fuqi 20 ditë pas publikimit dhe sipas këtij vendimi, qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin pa viza në zonën Schengen jo më vonë se nga data 1 janar 2024.
“Kosova i kishte plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave me kohë, por deri më tani mungonte konsensusi në mesin e vendeve anëtare për avancimin e procesit. Falë punës së Qeverisë sidomos në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit e menaxhimit të migrimit u arrit zhbllokimi i procesit dhe bindja e institucioneve të BE-së dhe vendeve anëtare se Kosova meriton përfundimin e procesit të liberalizimit të vizave dhe se vendi ka bërë progres e arritje të rëndësishme në fushat relevante. Pas një pritjeje të gjatë, ky është një moment kyç i përafrimit të vendit tonë me familjen evropiane”, thuhet tutje në reagim.
Qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin pa viza në vendet e Bashkimin Evropian nga 1 janari i vitit 2024.
Pengesat kanë marrë fund këtë të martë kur Parlamenti Evropian ka miratuar vendimin final.
Ndërsa të mërkurën do të nënshkruhet zyrtarisht vendimi për liberalizim.
/TV Arbëria