Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Ekonomi > Sa kanë shpenzuar qytetarët e Kosovës për viza drejt BE-së?

Sa kanë shpenzuar qytetarët e Kosovës për viza drejt BE-së?

Në janar të vitit 2012, Komisioni Evropian i BE-së nisi zyrtarisht dialogun me Kosovën për procesin e liberalizimit të vizave. Që nga nisja e këtij dialogu e deri në fund të vitit 2021, kosovarët kanë parashtruar 659.029 aplikime për vizë Schengen, sipas të dhënave të Komisionit Evropian.

Parlamenti Evropian voton më 18 prill vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës – me çka edhe procedurat për këtë çështje i afrohen fundit.

Tashmë është e qartë se zbatimi i vendimit nuk do të shtyhet më larg se 1 janari i vitit 2024.

Sipas të dhënave të Grupit për Ballkanin (BRPG), 60% e qytetarëve të Kosovës kanë kërkuar vizë Schengen, që mundëson lëvizjen e lirshme në vendet e BE-së, për vizita turistike. Interesimi i qytetarëve për të vizituar vendet e BE-së kishte qenë në rritje deri në vitin 2020, kur trendi ndryshoi shkaku i COVID-19.

Sipas një hulumtimi të bërë nga BRPG-ja, qytetarët e Kosovës kanë paguar mesatarisht 165 euro për aplikimin për vizë Schengen. Kjo kosto arrin shifra prej dhjetëra miliona eurosh kur merret parasysh numri i aplikimeve në vit.

Po i njëjti hulumtim i BRPG-së thekson se qytetatrët e Kosovës kanë pritur mesatarisht nga një deri në gjashtë muaj deri në përfundimin e procedurës për vizë në zonën Schengen. Përveç kësaj pritjeje, qytetarët e Kosovës janë ankuar edhe për pritje të gjata në rend për dorëzimin e dokumenteve.

Por, me gjithë pritjet e gjata dhe paratë e shpenzuara gjatë aplikimit, një numër i aplikuesve është përballur me përgjigje negative.

Komisioni Evropian në vitin 2018 kishte propozuar liberalizimin e vizave për Kosovën. Edhe Parlamenti Evropian e kishte mbështetur këtë vendim, mirëpo vendet si Franca dhe Holanda nuk ishin të pajtimit.

Kosova është vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk e kanë të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën Schengen.

/TV Arbëria

Powered by WordPress