Kryesia e Kuvendit në mbledhjen e sotme ka vendos që Kuvendi të mblidhet në seancë plenare të mërkurën, më 19 prill 2023, për të vijuar punën me pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara.
Një ditë më pas, më 20 prill, ndërkaq, do të mbahet seanca e re.
Në njoftim thuhet se fillimisht Kuvendi do të trajtojë dy pikat e zakonshme të rendit të ditës, deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare, për të vazhduar tutje me pikat e parapara.
“Kështu, në lexim të dytë pritet të votohen dy projektligje: Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të Agjencive Ekzekutive, si dhe Projektligji për Prokurorin e Shtetit. Po ashtu do të votohen edhe rekomandimet lidhur me Raportin e auditimit të teknologjisë së informacionit “Sistemi për Menaxhimin e Pagave”, si dhe ato lidhur me Raportin e auditimit: “Funksionimi i sistemit të Grantit të Performancës Komunale dhe menaxhimi i projekteve të financuara nga Donatorët për vitin 2021”, thuhet në njoftim.
Sipas Kuvendit, pikë e radhës e rendit të ditës do të jetë shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator sistemi, transmisioni dhe tregu sh. A.) dhe Frankfurt am Main (KFW), për të vijuar me shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”.
Në në lexim të dytë, ndërkaq, parashihet të shqyrtohet Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, për të përfunduar me shqyrtimin e Propozim-rezolutës për shpenzimet e parasë publike për dy vite mandat të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
/TV Arbëria