Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka nënvizoi sot (e premte) se duhet të ketë një angazhim sa më të gjerë e sa më konstruktiv për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Xhaçka priti në një takim homologun spanjoll, Jose Manuel Albares Bueno, vizita e të cilit i paraprin marrjes së Presidencës së BE nga Spanja në gjysmën e dytë të vitit.
Në konferencën e përbashkët për shtyp pas takimit, Xhaçka informoi se pjesë e diskutimeve ishte edhe çështja e Kosovës e cila merr një rëndësi të veçantë, duke qenë një hallkë themelore për stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit.
Xhaçka: Shpresojmë që Marrëveshja e Ohrit të zbatohet shpejtë
“Shqipëria është mirënjohëse për angazhimin e Bashkimit Evropian dhe partnerëve tanë amerikanë për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ne shpresojmë që marrëveshja do të zbatohet në një kohë sa më të shkurtër, pasi kjo do të kishte një ndikim shumë pozitiv për stabilitetin, por edhe bashkëpunimin rajonal, e sigurisht do të hapë edhe një perspektivë të re për një zgjidhje finale mes Kosovës dhe Serbisë”, deklaroi Xhaçka.
Kryediplomatja shqiptare tha se është në të mirën e vet Bashkimit Evropian që të ketë një angazhim më të gjerë rreth anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Xhaçka: Anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare në të mirë të BE
“Besojmë që është në të mirën e rajonit por edhe të vet Bashkimit Evropian që me Kosovën të ketë një angazhim sa më te gjerë dhe më konstrukitv, përfshirë edhe anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare për të shmangur një izolim që do të kishte pasoja jo vetëm për Kosovën por për të gjithë ne”, vijoi ministrja shqiptare.
Nga ana tjetër, ministri spanjoll Jose Manuel Albares Bueno, vendi i të cilit është në grupin e pesë vendeve të BE-së që nuk e ka njohur Kosovën, nuk preferoi të ndalet shumë në çështjen e vendit tonë.
Ai e përmendi shkurt se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë ishin pjesë e diskutimit, por premtoi se Spanja do të mbështesë Shqipërinë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Albares Bueno: Folëm për marrëdheniet e Kosovës me Serbinë
“Gjatë presidencës spanjolle të Bashkimi Evropian ne do të mbështesim progresin e Shqipërisë në këtë procesin e anëtarësimit. Dhe mbështetja jonë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian do të jetë shumë e aktive gjatë gjashtëmujorit që Spanja do të ketë presidencën e BE. Marrëdhënia mes Shqipërisë me Ballkanin dhe BE janë tema që kemi folur me ministren. Gjithashtu folëm për marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë”, tha spanjolli.
Kryediplomati spanjoll gjithashtu informoi se, do të organizohet një takim në rang kryeministrash mes Shqipërisë dhe Spanjës për të forcuar më tej bashkëpunimin në fusha të ndryshme.
Albares Bueno: Do organizojmë një takim në rang kryeministrash Shqipëri-Spanjë
“Në këto momente ndajmë shumë vlera të përbashkëta të cilat i përsa i përket kartës së Kombeve të Bashkuara për Paqen, luftën kundër terrorizmit, dhunës ekstreme dhe të drejtat e grave. Do të takoj kryeministri Edi Rama dhe do ia përcjellë këto mesazhe në të njëjtën formë siç ia përcolla ministres dhe si do të organizojmë mbështetjen ndaj Shqipërisë gjatë Presidencës Spanjolle. Gjithashtu do të organizojmë një takim në rang kryeministrash mes të dy vendeve që të na ndihmojë për të forcuar këtë rrugë të përbashkët që ne kemi marrë”, tha ai.
Shqipëria dhe Spanja nënshkruan edhe një memorandum bashkëpunimi për arritjen e një koordinimi sa më të mirë të punës për çështjet e integrimit evropian.
/TV Arbëria