Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Opinione > Zgjedhjet në veri sfidë për institucionet – Sadiku: Mund të mos mbahen fare

Zgjedhjet në veri sfidë për institucionet – Sadiku: Mund të mos mbahen fare

Mbajtja e zgjedhjeve në komunat me shumicë serbe po konsiderohet sfidë për institucionet e vendit. Në këtë pjesë të vendit sipas institucioneve mund të ketë tensionim të situatës të nxitur nga Lista Serbe, parti kjo që nuk do të marrë pjesë në zgjedhje.

Prandaj analisti politik, Arbnor Sadiku në një prononcim tha se Kosova duhet ta ketë një plan B sa i përket zgjedhjeve.

Sipas tij, ky plan do të rezultonte me shtyrjen e zgjedhjeve deri në një afat tjetër.

“Po praktikisht, është një sfidë për institucionet e Kosovës për faktin se atje partia që ndryshe njihet si Lista Serbe, mbështetur edhe nga strukturat e Serbisë, apo Qeveria Serbe dhe Presidenca e udhëhequr nga Vuçiq e kanë mbështetjen e plotë, për dezintegrim të asaj pjese nga Kosova dhe mospjesëmarrje në Listën Serbe, në zgjedhjet e caktuara nga presidentja në muajin prill”.

“Në rast se kjo ndodh sigurisht që do t’i shkaktohen probleme Kosovës dhe do të ishte rrugë e mirë si me thanë që Kosova të gjejë një plan B t’i shtyejë ato zgjedhje në një afat tjetër deri sa të kemi një bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare dhe përmes tyre të kemi dhe të garantohet pjesëmarrja e të gjithë serbëve apo partive serbe që aplikojnë për zgjedhje që kryesisht janë të pjesës veriore që participojnë në jetën politike dhe elektorale të veriut të Kosovës, apo katër komunave me shumicë serbe”, tha Sadiku.

Ai madje tha se këto zgjedhje sipas qëndrimeve rrezikohet të mos mbahen fare, pasi që edhe Lista Serbe edhe Serbia nuk duan pjesëmarrjen e serbëve të veriut.

Gjithashtu Sadiku tha se nëse kemi një bllokadë në atë pjesë do të jetë një mesazh i keq për partnerët ndërkombëtarë.

“Po nëse i referohemi qëndrimeve aktuale faktikisht këto rrezikojnë të mos mbahen për vet faktin që ne kemi pasur një qëndrim publik të Listës Serbe dhe Qeverisë serbe që serbët e veriut nuk do të marrin pjesë në zgjedhje të caktuara, bazuar në gjendjen aktuale, në rast se kjo ndodh mendoj që do të jetë keq sepse Kosova prapë do t’i ktheheshin në veri bllokadat dhe do të jetë lajm në arenën ndërkombëtare dhe do të çojë një mesazh të keq tek investitorët e huaj, në kuptimin që do të shihej si një vend që ka predispozita të përshkallëzimit të situatës politike dhe nuk është një vend që ka stabilitet politik, por është një vend i cili shumë lehtë i shkaktohen kriza të vazhdueshme, qoftë politike, qoftë të sigurisë”, tha Sadiku.

/TV Arbëria

Powered by WordPress