Pas gati tre vitesh mosfunksionim, këtë verë do të hapen 11 plazhe të Ohrit, duke përfshirë disa nga ato më tërheqëse. Më pare, objektet në plazhe u mbyllën për shkak të skadimit të kontratave koncesionare.
Plazhet tani do të jepen me qira për një periudhë trevjeçare përmes tenderit publik. Për plazhet më tërheqëse, çmimi fillestar do të jetë 11 mijë euro. Ata pritet të nisin punën nga 20 qershor.
“Përgjatë rivierës së Ohrit do të ketë lokacione ku mund të vendosen pajisje urbane. Bëhet fjalë për banakë nga materiale natyrale, dru nga 8 deri në 10 metra katrorë, dhe tavolina e karrige nga 150 deri në 400 metra katrorë, në varësi të madhësisë së plazhit”, tha kryetari i Ohrit, Kiril Pecakov.
Autoritetet lokale thonë se nuk mund të presin më miratimin e planit për menaxhimin e rivierës së Ohrit, i cili duhet të tregojë se në cilat vende mund të ketë plazhe të organizuara.
“Ajo detyrë ka qenë përgjegjësi e shtetit, pra Agjencisë së Planifikimit Hapësinor së bashku me Ministrinë e Transportit dhe lidhjeve. Nëse pres edhe pesë vite që të kem plazhe të parregulluara, atëherë jam kryetar i papërgjegjshëm i Ohrit. Unë si kryetar komune nuk mund të lejoj më, që të mos ketë rregullim në plazhe”, tha Pecakov.
Ish-koncesionarët padisin komunën për dëmet e shkaktuara nga mosfunksionimi i plazheve. Shuma e pretendimeve është disa qindra mijë euro.
“Plazhet u përdorën vetëm si maskë, për të treguar se diçka po bëhej në lidhje me ruajtjen e statusit të UNESCO-s”, u shpreh avokati Igor Kiçeec.
Dikur plazhet më tërheqëse të Ohrit tani janë kthyer në tualete publike, shkruan AlsatM Objektet po shkatërrohen, ndërsa strukturat metalike nga platformat që ishin vendosur në rivierën e liqenit tani janë shpërndarë përreth./TV Arbëria