Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dëshiron të provokojë që të lindin me çdo kusht konflikte të reja, sipas tij, “ai nuk është i interesuar për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.
Këto deklarata, Vuçiq i bëri në Rashkë gjatë një takimi që pati me përfaqësuesit e politikanëve serbë në Kosovë.
“Ne nuk do të pajtohemi me mashtrimet e tyre”, tha Vuçiq.
Duke iu drejtuar përfaqësuesve të serbëve në Kosovë, ai deklaroi se e dinte se ata “morën vendim që të mos marrin pjesë në zgjedhjet në veri të Kosovës” dhe iu bëri thirrje “të gjithëve të jenë të bashkuar”.
Vuçiq tha se “Kurti insiston në zgjedhje në veri të Kosovës për të thënë më vonë se Mitrovica e Veriut, Zubin Potoku, Leposaviqi nuk janë komuna serbe, kështu që nuk mund të formojnë Asociacionin”.
Ai deklaroi gjithashtu se Beogradi ka dërguar një propozim më shumë se kompromis për targat e veturave, por nëse nuk pranohet, sipas tij “përgjigja do të jetë serioze ndaj palës që përdor forcën dhe keqtrajton serbët”.
/TV Arbëria