Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Përparim Gruda, sot, në konferencë për medie, ka zbuluar se emërimi i Kryeinspektorit të Punës, Hekuran Nikçi, është në bërë në mënyrë të kundërligjshme.
Gruda ka thënë se kemi të bëjmë me një shkelje flagrante dhe të hapur të ligjit dhe vendimeve të gjykatave të Kosovës nga ana e Qeverisë Kurti.
“Vitin e kaluar, me propozim të Ministrisë së Financave, Qeveria e Kosovës, ka emëruar Kryeinspektorin e Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi. Ky emërim është bërë në kundërshtim më ligjin në fuqi për Zyrtarët Publik, pasi për këtë pozitë nuk ka pasur fare konkurs publik”, ka thënë Gruda.
Sipas tij, se Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës është emëruar në mënyrë të paligjshme e kishte konstatuar edhe Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, (KPMSHC) përmes raportet të Monitorimit të Jashtëzakonshëm në Ministrinë e Financave.
“Përkundër këtij vendimi të Këshillit, Qeveria ka vazhduar të mos e largoj nga detyra Kryeinspektorin Nikçi, duke ju drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë. Edhe në Gjykatën Themelore, Qeveria e ka humbur rastin, pasi gjykata ka refuzuar kërkesën për shtyrje të ekzekutimit të vendimit të KPMSHC-së. Duke mos u bindur bindur, ata janë ankuar në Gjykatën e Apelit. Por, edhe kjo gjykatë e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e tyre duke lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë”.
“Imagjinojeni, një person është emëruar dhe mbahet në detyrë në mënyrë të paligjshme në një organ që supozohet të mbrojë të drejtat e punëtorëve. Askund nuk ka ndodhur që Qeveria e një vendi ta bëjë zakon shkeljen e Kushtetutës, ligjeve dhe vendimeve gjyqësore të vendit, siç po e bën Qeveria Kurti. Partia Demokratike e denoncon këtë si një rast të paprecedent të shkeljes së qëllimshme të ligjit dhe vendimet të gjykatave, dhe fton prokurorinë e shteti të që të marr të gjitha veprimet e nevojshme ndaj personave që nuk i kanë zbatuar vendimet e gjykatave”, ka përfunduar Koordinatori për Drejtësi në KQM, Përparim Gruda.
/TV Arbëria