Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Haradinaj kërkon shtyrjen e zgjedhjeve në veri

Haradinaj kërkon shtyrjen e zgjedhjeve në veri

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në seancën e Kuvendit të enjten ka bërë thirrje që zgjedhjet në veri të vendit të shtyhen.

Para deputetëve, Haradinaj ka thënë se Qeveria dhe Presidenca duhet që ta trajtojnë me seriozitet këtë çështje dhe sa më parë të marrin një vendim.

Sipas tij, nëse mbahen zgjedhjet sipas afatit të planifikuar, atëherë qytetarët në veri do të votojnë nëpër stacione policore.

“Nëse Kosova qëndron në vendimin e vet për mbajtjen e zgjedhjeve, qytetarët e veriut do të shkojnë me votu në stacione policore. Duhet t’i bëjmë analizë kësaj situate. Nuk besoj se duhet të heshtim për këtë gjendje. Më mirë me pranu një çerek humbje sot, një gjysmë humbje nesër se një humbje të plotë në ditën e zgjedhjeve”, është shprehur Haradinaj.

“Cili është interesi ynë me vazhdu me mbajt Policinë e Kosovës në atë gjendje që janë atje? I bëj thirrje Qeverisë dhe presidentes ta marrin me seriozitet gjendjen në veri dhe ta marrin një vendim për këtë situatë. Cili kish me qenë ai vendim? Unë besoj që është shtyrja e zgjedhjeve. Mos harroni se terreni është pikënisja e suksesit. Duhet me gjet një formulë me ecë përpara e jo me fsheh totalisht gjendjen. Katër policë të Kosovës që rrezikojnë jetën e tyre atje sot janë në burg. Mos lejoni me shku kësaj rruge!”.

I pari i AAK-së tutje ka përmendur agjendjen e Serbisë dhe Listës Serbe si dhe presionin që ushtrojnë mbi qytetarët në veri. Megjithatë sipas tij, as Qeveria e Kosovës nuk e ka të qartë si ta menaxhojë këtë situatë.

“Nuk besoj që përfiton Kosova nëse ne heshtim edhe më tutje për gjendjen në veri të vendit. Zgjedhjet e shpallura herën e parë nuk arritëm t’i mbajmë dhe procesi për t’i mbajtur zgjedhjet tash në veri nuk është i qëndrueshëm. Pse jemi në këtë gjendje? E dimë fare mirë agjendën e Serbisë dhe Listës Serbe. Presionet e tyre që i ushtrojnë mbi qytetarët në veri, por a e dinë Qeveria jonë rrugën drejt suksesit? Me aq sa kam informata gjendja e sotme nuk na dërgon te suksesi”

“Mosshqyrtimi i kësaj gjendje me kujdes, mostrajtimi i kësaj gjendje me seriozitet edhe me aleatët tonë mund t’i thellojë pasojat për Kosovën në veri”, ka deklaruar tutje Haradinaj.

/TV Arbëria

Powered by WordPress