Ish-ylli i Arsenalit, Samir Nasri ka shpërthyer ndaj trajnerit të Francës, Didier Deschamps, pasi që ky i fundit e la atë jashtë grumbullimit me kombëtaren franceze në Kupën e Botës 2014.
Mesfushori 35 vjeçar me tipare sulmuese u tërhoq nga futbolli me kombëtaren si pasojë e neglizhencës së Deschamps ndaj tij.
Në një intervistë me “ZackNaniProd”, Nasri tregoi se sa shumë kishte mbetur i lënduar nga ky vendim i Deschamps.
“Ai ma shkatërroi ëndrrën time. Të luaj në Kupën e Botës në vendin e futbollit ishte ëndrra ime. E kisha një sezon çmendurisht të mirë. Mendoja se unë do të shkoja në Brazil për të shkatërruar Kupën e Botës. Unë besoja në të”, tha Nasri.
“Tani, vetëm mund t’i uroj më të mirën, por nuk më intereson. Ai nuk është shoku im dhe unë nuk do ta përshëndes atë sepse nuk më pëlqen si njeri”, tha më tej Nasri.
Asokohe, Franca u eliminua nga Kupa e Botës 2014 pasi që në çerekfinale u mposht nga kampioni eventual, Gjermania me rezultat minimal 1:0.
/TV Arbëria