Në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) po konsiderohet problematik thellimi i deficitit tregtar përgjatë dy viteve nën udhëheqjen e Lëvizjes Vetëvendosje.
Nga kjo parti thonë se tashmë edhe Serbia është shndërruar në partnerin kryesor tregtar të Kosovës, ndryshe nga sa ishte thënë nga Albin Kurti para se të vinte në pushtet kur kishte premtuar të kundërtën.
Berat Rukiqi nga LDK shprehet se përkundër se kjo qeveri kishte premtuar rritje të prodhimeve vendore për t’i zëvendësuar produktet e importuara, ai thekson se në këto dy vite të kësaj udhëheqje nuk janë parë politika apo vendime në këtë drejtim.
Sipas Rukiqit, gjatë kësaj kohe, deficiti tregtar është rritur për 2 miliardë euro.
Rukiqi: Problematik thellimi i deficitit tregtar
“Ne e shohim si problematike këtë thellimin e deficitit tregtar, Kosova ka pasur deficit tregtar por asnjëherë në nivelin që e kemi tani sidomos duke e ditur se kemi një qeveria që ka ardhur me premtime që do të fokusohet në rritje të prodhimit vendor në zëvendësim të importeve dhe politikave të cilët në funksion të zvogëlimit të deficit tregtar. Çka po shohim këto dy vite, po i shohim 2 miliardë më shumë deficit tregtar në një kohë kur sidomos ka në segmente të caktuara të qeverisë tendencë për të interpretuar shifra të rritjes së eksportit apo rritjes ekonomike që ne po i shohim se nuk kanë prodhuar ndonjë efekt në atë pasqyrën e gjerë ekonomike të vendit dhe për neve është shqetësuese, sidomos nëse vazhdimisht shohim mosveprime apo realisht shohim neglizhencë, pak vendime, pak politika ose më mirë me thënë hiç politika e mos të flasin për ndonjë reformë qoftë përmbajtjesore ekonomike”, tha ai.
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi u shpreh se përkundër pritshmërive edhe në qeverisjen Kurti, Serbia vazhdon të mbetet partneri kryesor tregtar më i madh në vend.
Ai deklaroi se trendi i tremujorit të parë të importeve nga Serbia të lë të kuptosh se deri në fund të këtij vitit importet nga fqinji verior do të kalojnë shifrën e 400 milionë eurove.
Rukiqi: Serbia ndër partnerët kryesorë tregtarë
“Kemi pas premtime në raport në Serbinë në raport me politikat e trajtimit të raporteve me Serbinë jo vetëm ekonomike, por në përgjithësi këto dy vite shohim rritje të importeve, mbi 370 milionë euro importe nga Serbia në vitin 2022, trend qe ka vazhduar me rritje më të shpejtë edhe në tremujorin e parë të këtij viti. Pra, edhe aty ku është premtuar diçka që ka qenë realisht politikë ose objektiv me të cilin kjo qeveri ka arritur në pushtet edhe aty nuk shohim asnjë ndryshim, shohim një trend qe sigurisht në fund tw këtij viti do të tejkalojë 400 milionë shumën e importeve nga Serbia. Pra, Serbia vazhdon të mbetet një ndër partnerët kryesor tregtar në kohë kur është menduar se do të ketë politika e veprime konkrete e reciproke e veprime të tjera që do të ndikonin në zbutjen e këtij hendeku deficitar që e kemi”, u shpreh Rukiqi.
Rukiqi tregoi edhe disa nga politikat që duhet ndjekur ekzekutivi kosovar për të ulur deficitin tregtar.
Rukiqi: Duhet ulur barrierat për të nxitur projekte zhvillimore
“Ne duhet të krijojmë klimë të uljes se barrierave, të nxitjes se projekteve zhvillimore në fusha të ndryshme, shembull mund të ishte pjesë e turizmit, një pjesë ku do të nxiste investime dhe kjo pastaj do të krijonte një cikël të zhvillimit të brendshëm ekonomik, pastaj do të duhej te kishte fokus në sektor të caktuar…. do të duhej të kishte më shumë fokus tek investitorët që tani janë duke shkuar nëpër vendet e rajonit e duke u zhvendosur nga vendet të cilat kanë rritje të kostove të shikojmë t’i sjellim këtu të shohin këtë potencialin të eksportit të shërbimeve të teknologjisë informative”, tha ai.
Lidhja Demokratike e Kosovës në vazhdimësi ka pasur kritika ndaj Qevrisë Kurti duke e quajtur të paaftë për të gjetur zgjidhje për krizat e njëpasnjëshme dhe që po vështirëson jetën e qytetarëve.
/TV Arbëria