Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se aktualisht nuk po merren me Ligjin për pagën minimale për shkak se është e ndërlidhur me çështjen e veteranëve.
Këto komente ai i bëri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ku u vendos që javën e ardhshme të mbahen dy seanca.
Më 12 prill do të mbahet seancë e re plenare, ndërsa një ditë më herët do të ketë seancë me pikat e papërfunduara nga ato të kaluarat.
Konjufca: Nuk jemi duke u marr me projektligjin për pagën minimale
“Ai projektligj u bllokua për shkak të çështjes së ndërlidhjes së këtij projektligji me çështjen e veteranëve, njëherë nuk jemi duke u marr me këtë sepse u ndërlidh me çështjen e veteranëve, do të merremi kur t’i vije koha”, tha ai.
E lidhur me mungesën e kuorumit e cila po ndikon në mbarëvajtjen e seancave Konjufca tha se kjo po ndodh për shkak se opozita në shumicën e rasteve nuk po i voton projektligjet dhe sipas tij një numër i vogël i deputetëve të mazhorancës po i vendosin punët personale para atyre të Kuvendit.
Konjufca: Opozita nuk po voton projektligjet, një numër i mazhorancës po i vendosin punët private para Kuvendit
“Ne po kemi problem kemi hyrë në këtë cikël kur opozita në shumicën e rasteve nuk po voton projektligjet dhe ne jemi në një situatë kur po varet prej mazhorancës deputetët edhe të mazhorancës po kanë ndonjëherë udhëtime, ndonjëherë nuk e përjashtojnë që disa prej tyre nuk është numër i madh mund të numërohen në gishta por kaq po mjafton një numër i tyre që ndoshta në momente të caktuara ata qesin punët private dhe personave para Kuvendit”, tha ai.
Ndërsa shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani kanë hequr dorë prej njohjes nga Serbia.
Tahiri: Kosova nuk ka heqë dorë nga njohja nga Serbia, por Kurti dhe Osmani po
“Kosova nuk ka hequr dorë por në këtë periudhë ka heq Albin Kurti fatkeqësisht mirëpo jo Kosova zotëri Kurti e drejton vendin në këtë periudhë, nesër do të jetë dikush kryeministër dhe president i vendit dhe normalisht që ne nuk heqim dorë nga ambiciet tona si shoqëri pavarësisht dështimet momentale që mund të kenë liderët siç ka në këtë rast kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani. Mendoj se ky është një dëm i madh në këtë proces, largimi i njohjes në qendër dhe sjellja e vetmenaxhimit të serbëve e cila do të përkthehet në autonomi të ardhmen në qendër është një dëm i madh për vendin tonë që ia ka shkaktuar pikërisht angazhimi në këto dy vite negociata”, theksoi ai.
E për zgjedhjet e jashtëzakonshme që pritet të mbahen gjatë këtij muaji në katër komunat veriore, Tahiri tha se është e rëndësishme që të zbatohet kushtetueshmëria dhe siç theksoi ai nuk mund të imponohet vullneti i Beogradit.
Tahiri: Kushtetueshmëria të zbatohet, nuk mund të imponohet vullneti i Beogradit
“Është shumë e rëndësishme që kushtetueshmëria dhe sovraniteti ynë të zbatohet në tërë territorin e Republikës së Kosovës. ne si PDK kemi edhe kandidat të cilët kanë garuar në këto komuna dhe ne i kërkojmë të gjitha institucioneve kushtetuese, Komisionit Qendror Zgjedhor, qeverisë në këtë rast që të ndihmoj dhe të krijoj kushtet, institucione si Prokurori i Shtetit të gjitha institucioneve që janë të angazhuara dhe të cilat duhet të sigurojnë qetësi dhe kushte e siguri që këto zgjedhje të mbahen në mënyrë të lirë dhe demokratike. Tek ne nuk mund të imponohet vullneti i Beogradit. Duhet merret parasysh vullneti i qytetarëve që jetojnë në atë pjesë të Kosovës, besoj që ka mjaftë vend që edhe faktori ndërkombëtar të ketë një presion dhe trysni të madhe që mundësisht ta bëjë një shkëputje politika e Beogradit në raport me qytetarët që janë në Kosovë, ata janë peng i tyre, janë peng të cilëve nuk iu lejohet të jenë pjesë shoqërisë multietnike kosovare”, tha ai.
Lidhur me zgjedhjet në veri të vendit që do të mbahen më 23 prill, deputeti I Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja tha se duhet të zbatohet parimi i kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në çdo cep të vendit.
Sipas tij ata që sfidojnë zgjedhjet në veri duhet të ballafaqohen me Prokurorin e Shtetit.
Muja: Ata që sfidojnë zgjedhjet duhet të jenë subjekt i Prokurorit të Shtetit
“Është e rëndësishme që të zbatohet parimi i kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në çdo cep të vendit, dhe po ashtu të shqyrtojmë se çfarë do kapaciteti kushdo që e sfidon integritetin fizik ose të zgjedhjeve duhet të subjekt i rendit dhe ligjit dhe Prokurorit të Shtetit…Zotëri Vuçiq le të largohet larg nga zgjedhjet dhe sistemi politik i Kosovës, është me rëndësi që ai të mbetet edhe ashtu është i tepërt për Serbinë dhe do të na kursente të mos interferonte në çështjet e brendshme të Kosovës”, theksoi ai.
Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri tha se subjektet politike janë dakorduar për ndryshim në reformën zgjedhore.
Tahiri: Ka një dakordim të subjekteve politike për reformën zgjedhore
“Ka një dakordim të të gjitha subjekteve politike se duhet të bëhet një ndryshim në reformën zgjedhore që do të ndodhë me ligjin e ri. Aty përfshihen kryesisht procedura që ndërlidhen me çështje teknike që në të kaluarën kanë qenë problematike numërimi i votave, pastaj çështjet tjera që lidhen me vendvotimet dhe me qendrat e vendvotimeve nëpër komuna, njëkohësisht çështje që po ashtu lidhen me kandidaturën e subjekteve politike. Ka një dakordim mes partive politike që kjo të ndodh shpejt”, tha Tahiri.
/TV Arbëria