Komisioni për përzgjedhje të kandidatëve për anëtarë të Bordit Drejtues të FKPK-së, i përbërë nga Guvernatori i përkohshëm i BQK-së, Bashkim Nurboja (kryesues), Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, mbajti një takim për të diskutuar procedimin e mëtejmë për të siguruar plotësimin sa më të shpejtë të pozitave vakante të anëtarëve të Bordit Drejtues të FKPK-së.
Në takim mori pjesë edhe përfaqësuesi i projektit të asistencës teknike të Ambasadës Britanike për rekrutimet në pozitat e larta publike në Kosovë.
Duke vlerësuar se në konkursin e fundit të shpallur për këto pozita, kishte mangësi në kërkimin e informacioneve të nevojshme për të siguruar një vlerësim dhe verifikim objektiv të kandidatëve brenda një periudhe të arsyeshme kohore, Komisioni unanimisht vendosi që ky konkurs të rishpallet me plotësimet e nevojshme.
Konkursi i plotësuar do të shpallet javën e ardhshme dhe procesi i përzgjedhjes do të jetë i asistuar në kuadër të projektit në fjalë të Ambasadës Britanike.
/TV Arbëria