Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se ministria e Drejtësisë, përmes Avokaturës Shtetërore së bashku me ekipin mbrojtës të Squire Patton Boggs kanë arritur fitoren e radhës për Kosovën në arbitrazhin ndërkombëtar, duke mposhtur pretendimet e Blerim Devollit kundër Republikës së Kosovës.
Kurti përmes rrjetit social Facebook ka njoftuar se përmes një padie të dorëzuar pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit pranë Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë në mars të vitit 2020, Devolli kishte kërkuar kompensim prej së paku 45 milionë euro nga Republika e Kosovës si pasojë e pretendimeve për shpronësimin e Dardafon.net, operatorin e rrjetit celular virtual në Kosovë, pronë kjo e Devollit.
“Ky rast shënon fitoren e tretë të radhës së Republikës së Kosovës në arbitrazhin e investimeve, duke e renditur vendin tonë si një ndër të paktat shtete me asnjë humbje në arbitrazhin ndërkombëtar të investimeve”, ka shkruar mes tjerash Kurti.
“Ministria e Drejtësisë, përmes Avokaturës Shtetërore së bashku me ekipin mbrojtës të Squire Patton Boggs kanë arritur fitoren e radhës për Kosovën në arbitrazhin ndërkombëtar, duke mposhtur pretendimet e Blerim Devollit kundër Republikës së Kosovës.
Përmes një padie të dorëzuar pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit pranë Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë në mars të vitit 2020, z. Devolli kishte kërkuar kompensim prej së paku 45 milionë euro nga Republika e Kosovës si pasojë e pretendimeve për shpronësimin e Dardafon.net, operatorin e rrjetit celular virtual në Kosovë, pronë kjo e z.Devolli. Pak ditë më parë, Tribunali ndërkombëtar i Arbitrazhit ka lëshuar vendim duke hedhur poshtë në tërësi pretendimet e z. Devolli dhe duke urdhëruar këtë të fundit t’ia paguajë Republikës së Kosovës mbi 1.3 milion euro në emër të shpenzimeve të procedurës.
Ky rast shënon fitoren e tretë të radhës së Republikës së Kosovës në arbitrazhin e investimeve, duke e renditur vendin tonë si një ndër të paktat shtete me asnjë humbje në arbitrazhin ndërkombëtar të investimeve. Rastet e mëparshme, Bedri Selmani v. Republika e Kosovës dhe IuteCredit v. Republika e Kosovës, gjithashtu kanë rezultuar në fitore të plota për Republikën e Kosovës. Vlera e përbashkët e pretenduar në këto tre arbirtazhe kap shumën prej 145 milionë euro”, ka njoftuar Kurti përmes rrjetit social Facebook. /TV Arbëria