Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Drejtësi > Do të lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim ndaj dy të akuzuarve, shtyhet gjykimi për kanosje në objektin e gjykatës

Do të lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim ndaj dy të akuzuarve, shtyhet gjykimi për kanosje në objektin e gjykatës

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të enjten, për shkak mungesës së të akuzuarve Bekim Xhaferi dhe Rinor Xhaferi, ka dështuar të mbahet gjykimi për kanosje në objektin e gjykatës. Ndaj tyre, gjykata do të lëshojë urdhëresë për sjellje me detyrim në seancë.

Gjykatësi i rastit, Fatmir Krasniqi, tha se të akuzuarit Xhaferi janë ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo mungesën e tyre nuk e kanë arsyetuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Të pranishëm në seancë, ishin prokurori Shpend Binaj, i dëmtuari Agron Sopaj dhe përfaqësuesi i autorizuar i tij, avokat Nazmi Mustafi.

Mungesa e kushteve ligjore ka bërë që kjo seancë të shtyhet, kurse e radhës për këtë rast është caktuar të mbahet më 3 maj 2023.

Ndaj të akuzuarve Xhaferi, gjykata do të lëshojë urdhëresë për sjellje me detyrim në seancë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren të ngritur më 19 maj 2021, Bekim Xhaferi dhe Rinor Xhaferi po akuzohen se më 25 shkurt 2021, rreth orës 10:00, në Prizren, në rrugën “William Woker”, në ambientet e Gjykatës Themelore në Prizren, në bashkëveprim, i kanosen të dëmtuarit Agron Sopaj, me fjalë, vepra apo gjeste se do ta privojnë nga jeta ose se do t’i shkaktojnë lëndim rëndë trupor, ose se do ta dëmtojnë me mjete të tjera të rrezikshme.

Aktakuza thotë që e gjithë kjo ka ndodhur kur në një seancë gjyqësore, e cila ka qenë duke u zhvilluar, ku prezent kanë qenë vetë të pandehurit, avokati Esat Gutaj, i dëmtuari Agron Sopaj, vëllai i të dëmtuarit Naser Sopaj, ku në një moment i dëmtuari nga vëllai i tij Naser Sopaj kupton se derisa kanë qëndruar në hapësirën e gjykatës, ai ka dëgjuar fjalët nga avokati Esat Gutaj duke thënë “o Agronin kanë me vra”, duke aluduar në të pandehurit, me ç’rast tek i dëmtuari ka shkaktuar ankth, frikë dhe pasiguri për jetën e tij.

Me këto veprime, Bekim Xhaferi dhe Rinor Xhaferi po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181, par. 2 lidhur me nenin 31 të KP-së.

/TV Arbëria

Powered by WordPress