Policia e Kosovës me autorizim të Prokurorit të Shtetit dhe në mbështetje të njësive të specializuara policore ka realizuar një operacion policor në Prishtinë e Pejë për arrestimin e personave të dyshuar të cilët kanë qenë të përfshirë në veprat penale ‘krim i organizuar’, ‘organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.
Ky operacion policor është zhvilluar pas hetimeve disa mujore, ku personat e dyshuar në bashkëveprim me njëri-tjetrin dyshohet se kanë kryer veprat penale të lartcekura për një periudhë të gjatë kohore.
“Gjatë operacionit janë kontrolluar dymbëdhjetë (12) lokacione (vendbanime dhe lokale), janë ndaluar dhjetë (10) persona me aktvendim mbi ndalimin si dhe janë intervistuar edhe pesëmbëdhjetë (15) persona të tjerë në cilësinë e të dyshuarve të cilët lirohen në procedurë të rregullt, të njëjtit janë hasur duke mundësuar zhvillimin e lojërave të bixhozit online”, thuhet në njoftim.
Gjatë kontrollit edhe gjashtë të dyshuar tjerë nuk janë hasur në lokacionet e tyre, andaj të njëjtit mbeten në kërkim policor.
Në cilësi të provave materiale janë sekuestruar: 4,423 euro para të gatshme, 2 aparate të lojërave të fatit, 25 telefona mobilë, 2 laptop, 2 DVR si dhe materiale/dokumente relevante për rastin.
Me urdhër të prokurorit kompetent dhjetë të dyshuarit e arrestuar dërgohen në mbajtje për 48 orë.
/TV Arbëria