“Gjatë vizitës sime të fundit në Austri, në “DiePressecom” diskutuam zhvillimet e fundit në dialogun Kosovë-Serbi dhe se si Kosova do të ndërmarrë hapa konkretë përpara në përpjekjet tona për integrimin ndërkombëtar, siç parashihet në marrëveshjen bazë”, ka shkruar presidentja Vjosa Osmani në Tweet, deri sa ka publikuar intervistën e plotë dhënë gazetës “die Presse”.
Presidentja Osmani- Sadriu, ka thënë se beson që drejtësia do të triumfojë në procesin gjyqësor të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
“Jam e sigurt se drejtësia do të triumfojë. Dhe se fundi i këtij procesi do ta konfirmojë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë çlirimtare në mbrojtje të njerëzve të pambrojtur. Ata mbrojtën vendin dhe popullin e tyre kundër regjimit gjenocidal të Sllobodan Millosheviqit”, ka deklaruar Osmani në një intervistë për gazetën austriake “die Presse”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ka kritikuar ministrin e Jashtëm të Serbisë Daçiq dhe ka paralajmëruar përpjekjet e Moskës për destabilizim.
“Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë së fundmi në Vjenë se Serbia nuk do të pajtohet me anëtarësimin e Kosovës në OKB. Kjo është një shkelje e qartë e marrëveshjes. Neni 4 aty e bën të qartë se Serbia nuk do ta pengojë pranimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Por, ne e dimë se kush është pengesa e vërtetë: nuk është Serbia, është Rusia. Mund të shkaktojë probleme me pranimin e Kosovës në OKB. Me kalimin e kohës do ta zgjidhim edhe atë. Aktualisht prioritetet tona janë anëtarësimi në NATO, anëtarësimi në organizata si Këshilli i Evropës dhe sigurisht integrimi në BE. Daçiq ka thënë në Vjenë se Kosova duhet së pari të zbatojë marrëveshjen e vjetër për krijimin e asociacionit të komunave serbe. Vetëm atëherë Beogradi do të ndërmarrë hapat e ardhshëm në zbatimin e planit të normalizimit. Një plan i tillë nuk është i përfshirë në marrëveshjen që kemi arritur me Beogradin. Por nuk mendoj se shumë njerëz në bashkësinë ndërkombëtare e marrin seriozisht zotëri Daçiq dhe atë që ai bën. Ai tashmë në karrierën e tij politike ka treguar se ndryshon çdo ditë pozicione”, ka thënë Osmani.
Nga ana tjetër, Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord për zbatimin e planit evropian, gjë për të cilën, Osmani tha se do t’i afrojë drejt BE-së dhe jo ndaj njëri-tjetrit.
“Jo më afër njëri-tjetrit, por më afër BE-së. Suksesi në procesin e udhëhequr nga BE-ja do të sjellë më shumë stabilitet në rajon. Marrëveshja trajton Kosovën dhe Serbinë si palë kontraktuese të barabartë për herë të parë. Përmes saj e njeh integritetin tonë territorial në përputhje me Kartën e OKB-së dhe siguron njohjen reciproke të dokumenteve dhe simboleve shtetërore. Më e rëndësishmja, në marrëveshje thuhet se Serbia nuk do ta kundërshtojë më anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”, ka thënë Osmani. /TV Arbëria