Nuk kanë kaluar më shumë se dy javë që kur Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e udhëhequr nga Donika Gërvalla, ka shpenzuar 5 mijë e 760 euro për blerjen e telefonave celularë dhe smart TV.
Por, ky shpenzim duket se nuk i ka mjaftuar.
Shpenzimin e parave në luks e blerje të pajisjeve teknologjike e ka vazhduar edhe më tej, shkruan Demokracia.com.
Gjatë ditës së djeshme është dhënë një tender që kap shumën e mbi 43 mijë eurove për pajisje të teknologjisë informative.
“Furnizim me pajisje të Teknologjisë Informative. Vlera e përgjithshme e kontratës 43,795.00 euro. Data e dhënies së kontratës 04.04.2023. Data e planifikuar e nënshkrimit të kontratës 05.04.2023. Numri i tenderëve të pranuar: 3. Grup i Operatorëve Ekonomik TECH VISION SH.P.K.; Mehmet Sahitolli B.I.; Nita Macula B.I”, thuhet në njoftimin e shpallur.
Në dosjen e tenderit është treguar se me 43 mijë euro do të blihen 37 produkte të ndryshme, si llaptopë, PC dhe Mobile Workstation.
“Brand Name All in One PC-Model IV Copë 20. Brand Name Llaptop- Model I cope 7. Brand Name Mobile Workstation – Model II, copë 10”.
Ditë më parë, është raportuar se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka shpenzuar 5 mijë e 760 euro, para të taksapaguesve nga Kosova për blerjen e telefonave celularë dhe smart TV.
Zyra e prokurimit e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të hënën ka bërë njoftim për kontratë për “Furnizim me Smart TV dhe telefona celular”.
Siç bëhet e ditur në kontratën e publikuar në KRPP, ministria e udhëhequr nga Donika Gërvalla ka paraparë blerjen e 4 telefonave celularë dhe 3 smart TV.
/TV Arbëria