Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Dy vjet nga zgjedhja e Osmanit si presidente e Kosovës

Dy vjet nga zgjedhja e Osmanit si presidente e Kosovës

Kuvendi i Republikës së Kosovës, në një seancë të jashtëzakonshme, më 4 prill 2021, me 71 vota “për” zgjodhi presidente të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriun.

Osmani u zgjodh pas raundit të tretë të votimit ku votuan 82 deputetë. 71 nga deputetët votuan për Vjosa Osmani-Sadriu, 11 vota rezultuan të pavlefshme, ndërsa për kandidatin tjetër Nasuf Bejta nuk votoi asnjë deputet.

Para raundit të tretë u zhvillua edhe procedura e dy raundeve, të parit dhe të dytit.

Në raundin e parë, votuan 81 deputetë. Për kandidaten Vjosa Osmani-Sadriu votuan 69 deputetë, 12 vota u shpallën të pavlefshme, ndërsa kundërkandidati i Osmanit, Nasuf Bejta nuk mori asnjë votë. Në bazë të këtij rezultati u konstatua se asnjëri nga kandidatët nuk i kishte votat e nevojshme për t’u zgjedhur president, aq sa duhen sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Në raundin e dytë votuan 81 deputetë. Për kandidaten Vjosa Osmani-Sadriu votuan 67 deputetë, 11 vota të pavlefshme, ndërsa kandidati Nasuf Bejta mori 4 vota. As pas raundit të dytë, asnjëri nga kandidatët nuk mori vota për t’u zgjedhur president.

Pas publikimit të rezultatit të votave të raundit të tretë, presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu bëri betimin para deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e më pas në sallë u intonua himni shtetëror i Republikës së Kosovës.

Me t’u zgjedhur presidente, Vjosa Osmani- Sadriu, mbajti një fjalim para deputetëve të Kuvendit.

Presidentja Osmani në fjalimin e saj dha një porosi për vajzat dhe gratë anembanë vendit, duke u thënë se gjithçka është e mundur kur ato ëndërrojnë dhe punojnë për realizimin e ëndrrave të tyre.

“Vullneti juaj qytetarë të nderuar, i shprehur më 14 shkurt dhe vendimi i sotëm i Kuvendit, më veshin me shumë përgjegjësi. Dashuria për Kosovën dhe bashkëvendësit tanë ka qenë motivimi më i madh gjatë jetës politike. Sot është dita e Kosovës, është dita juaj, ku vullneti juaj po plotësohet dhe institucionet po konstituohen plotësisht. Të dashur qytetarë, sot Kosova zgjodhi edhe një herë një presidente grua. Vajzat e kanë vendim vetëm aty ku ato vet dëshirojnë, aty ku ato çdo natë ëndërrojnë dhe për çfarë ato punojnë me zell”, deklaroi atë kohë presidentja e Republikës së Kosovës.

Në fjalimin e saj para deputetëve, presidentja Osmani vlerësoi lart edhe veprën e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, veprën e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, të gjithë dëshmorëve të kombit dhe sakrificën e të gjithëve për ta krijuar shtetin.

“Sot ne kujtojmë rolin e arkitektit të shtetit tonë, Ibrahim Rugovës, i cili politikës ia dha dimensionin më të çmueshëm të saj, dimensionin human. Historia jonë është histori e përkushtimit. T’i kujtojmë sot heronjtë tanë që lirinë e vendit e patën idealin më të çmuar jetësor. Sot kujtojmë trimërinë e komandantit Adem Jashari, secilin ushtar të UÇK-së, familjen Jashari, dëshmorët dhe heronjtë, të gjithë të pagjeturit, martirët e shumtë”, tha ndër të tjera presidentja Osmani.

Pas fjalimit të Osmanit, seanca e jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës e cila filloi një ditë më parë, më 3 prill, përmbylli punimet e saj.

/TV Arbëria

Powered by WordPress