Deputeti i Listës Guxo, Haxhi Avdyli ka komentuar zgjedhjet presidenciale që janë mbajtur në Mal të Zi, ku sipas rezultateve të deritanishme Jakov Mialtoviq ka fituar postin e presidentit.
Avdyli në një shkrim të hedhur në profilin e tij në Facebook, ka shkruar se pas rënies së Gjukanoviqit në Mal të Zi, e vetmja pengesë për krijimin e botës serbe, mbetet Vjosa Osmani dhe Albin Kurti.
“Bota Serbe e maskuar shpesh si Ballkani Hapur, me tentakulat e saj, me parti politike Serbe në vende fqinje, por edhe akterë brenda partive vendore të Kosovës, malazeze, maqedone e shqiptare, e përmes Rusisë ka për të punuar për destabilizim të Ballkanit, dhe ka për të sabotuar çdo marrëveshje evropiane për paqe”, është shprehur Avdyli.
Ndryshe, nacionalistët pro-serbë e kanë festuar në disa qytete fitoren e Jakov Milatoviqit duke kënduar këngë çetnike për Kosovën dhe ngritur tre gishtat me flamurin e Serbisë.
Kjo ka nxitur reagime të shumta në rajon në platformat sociale.
Ivana Stradner, bashkëpunëtore shkencore në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracisë në Uashington ka shkruar në Mal të Zi pas fitores së Milatoviqit janë shfaqur flamuj serbë dhe këngë nacionaliste.
Ndryshe, dje Milovatoviq ka fituar garën kundër presidentit aktual Milo Gjukanoviq i cili ka qenë ideator i shpalljes së pavarësisë së Malit të Zi si dhe ka anëtarësuar këtë vend në NATO.
/TV Arbëria