Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Ekonomi > Hyseni i VV-së kritikon ZRrE-në për shtrenjtimin e rrymës, arsyetohet Fejzullahu

Hyseni i VV-së kritikon ZRrE-në për shtrenjtimin e rrymës, arsyetohet Fejzullahu

Deputeti nga radhët e Vetëvendosjes, Driton Hyseni ka kritikuar drejtuesit e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike.

Gjatë raportimit të Bordit të ZRrE-së në Komisionin për Ekonomi, deputeti Hyseni tha se dështimet e performancës së operatorëve KEDS dhe KESCO për vitin 2022 nuk duhet të bëhet barrë për qytetarët me shtrenjtimin e energjisë elektrike.

“Operatorët kanë dështuar në nominime me kohë dhe prandaj janë gjobitur nuk mund të vijmë në situatën që të vijmë në shqyrtim të tarifave për shkak të shkelje dhe mos përformancës së mirë të dy operatorëve gjatë vitit 2022 dhe të vijmë ne në vitin 2023 të kemi një situatë që mos performanca e tyre të jetë barrë për qytetarët e vendi”, u shpreh ai.

Këtë pretendim të deputetit Hyseni, e ka mohuar kryesuesi i Bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu. Ai tha se shqyrtimi i jashtëzakonshëm ka ndodhur për shkak të kostos së lartë të importit të energjisë elektrike.

“Nuk është e vërtet që është për shkak të mos performancës së tyre, është për shkak se kosto e importit është shumë më e lartë sesa që është planifikuar, dhe nuk ka të bëjë me gjoba as nuk paguhen nga ana e konsumatorëve dhe nuk hyjnë në anën që ne shqyrtojmë”, tha Fejzullahu.

Deputeti Hyseni po ashtu tha se sikur të kishin qenë me kohë nominimet për blerje nga ana e operatorëve nuk kish pas nevojë me u fut në zonën ku çmimet janë shumë të larta.

“Sikur të kishin qenë me kohë nominimet nga ana e operatorëve edhe blerja e energjisë me kohë nuk kish pas nevojë me u fut ata në zonën ku çmimet janë shumë të qarta”, tha ai.

Deputeti Hyseni pyeti po ashtu kryesuesin e Bordit të ZRrE-së, për skenarët tjerë që do t’i aplikojnë në vitin 2023 në rast të vazhdimit të krizës energjetike.

Sipas Hysenit, ZRrE me qejf po e bënë rishqyrtimin e tarifave për ngritjen e tarifave.

“Skenarët tjerë që mund t’i aplikoni si ZRrE në vitin 2023 në rast të vazhdimit të krizës energjetike në vend cilët janë skenarët tjerë përveç rishqyrtimit të tarifave se unë mendoj se rishqyrtimi i tarifave është më e lehta e mundshme dhe po më duket puna që me qejf po e bëni në ZRrE”, u shpreh ai.

Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), në mbledhjen e cila është paraparë të mbahet sot në orën 15:00, pritet të marrë vendim për tarifat e reja të energjisë elektrike.

/TV Arbëria

Powered by WordPress