Një reporter amerikan i Wall Street Journal është arrestuar në Rusi për spiunazh, njoftuan të enjten agjencitë ruse të lajmeve, duke cituar shërbimin e sigurisë FSB.
“FSB ndaloi aktivitetet e paligjshme të shtetasit amerikan Evan Gershkovich… një korrespondent i zyrës së Moskës të gazetës amerikane The Wall Street Journal, e akredituar pranë ministrisë së jashtme ruse”, citohet të ketë thënë FSB.
Gershkovich “dyshohet për spiunazh në interes të qeverisë amerikane” dhe për mbledhjen e informacionit “për një ndërmarrje të kompleksit ushtarak-industrial rus”, raportuan agjencitë.
Para se t’i bashkohej The Wall Street Journal, reporteri 31-vjeçar ka punuar për AFP në Moskë.
Ai ka qenë më parë reporter për The Moscow Times, një faqe interneti lajmesh në gjuhën angleze.
Gershkovich flet rusisht. Prindërit e tij jetojnë në Shtetet e Bashkuara, por janë me origjinë nga ish-Bashkimi Sovjetik
/TV Arbëria