Deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi ka deklaruar se komentet e Albulena Haxhiut mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për KPK-në, janë të papranueshme.
Bunjaku-Rexhepi tha se për momentin në Kosovë vetëm Gjykata Kushtetuese nuk është e kapur nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Komentet e ministres Albulena Haxhiu mbi vendimin e GJK-së për Ligjin për KPK-në për mua realisht janë të papranueshme. Po e njëjta gjykatë po të njëjtit njerëz, kanë rrëzu qeverinë Hoti. Ne si LDK edhe pse kemi patur kryeministrin nuk e kemi kundërshtu Gjykatën Kushtetuese. Falë zotit që e kemi një gjykatë dhe një monitoruese të proceseve dhe për mua janë të papranueshme edhe diskutimet e ministres edhe diskutimet e të gjithë atyre që e komentojnë vendimin e kësaj gjykate. Ligji për Këshillin Prokurorial dmth që ministrja me e kap edhe atë institucion, tani për momentin në Kosovë vetëm Gjykata Kushtetuese nuk është e kapur nga Lëvizja Vetëvendosje. Të gjitha institucionet e tjera janë të kapura nga Lëvizja Vetëvedosje”.
Deputetja e LDK-së tha se ka informacione se Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, po ndërhyn në pozitat kyqe në Policinë e Kosovës.
“Hiq më larg se dje kam informacion se zoti Sveçla në stacionet e Policisë po hyn e del kur të don dhe po ndërhyn në pozitat kyqe në Policinë e Republikës së Kosovës. Nëse kemi një dikaster që ne duhet me u krenu janë Policia e Republikës së Kosovës sepse gjithmonë e kanë kryer punën me ndershmëri. Nëse zoti Sveçla ka të drejtë me ndërhy direkt në pozita kyqe, ky është një dëm i madh që i bëhet Policisë së Kosovës” deklaroi ajo.
/TV Arbëria