Sekretarja e përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), Majlinda Bregu thotë se Ballkani Perëndimor ka nevojë për një klimë mikpritëse ndaj investimeve, për të tërhequr investime afatgjata në mënyrë që shtetet e rajonit të mos boshatisen nga të rinjtë.
Duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe kontributin e RCC-së që synon promovimin dhe avancimin e integrimit evropian dhe euro-atlantik të Evropës Juglindore, Bregu thotë se aktualisht po punohet që gjashtë vendet të ratifikojnë marrëveshjet e arritura në Samitin e nëntorit të vitit të kaluar në Berlin për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale.
“Çdo përpjekje dhe arritje që i jep mundësi kësaj hiseje të botës ku jetojmë, të jetë më afër, më bashkëpunuese, më e integruar ekonomikisht me njëri-tjetrin, edhe përmes Tregut të Përbashkët Rajonal, është një tjetër hap përpara drejt krijimit të një klime mikpritëse ndaj investimeve, për të tërhequr investime afatgjata dhe që shtetet e rajonit të mos boshatisen nga të rinjtë”, thotë Bregu në një intervistë për Klubin e Debatit Politik.
Sipas saj, lufta në Ukrainë ka rritur shqetësimin në rajonin tonë.
“Lufta në Ukrainë rriti shqetësimin në rajonin tonë, i cili memorien për plagët e luftës e ka ende të freskët”, shton ajo.
Intervista e plotë
Kanë kaluar më shumë se katër muaj që kur liderët e Ballkanit Perëndimor nënshkruan marrëveshjet në Berlin. Cili është statusi i këtyre marrëveshjeve. Kur mund të presim që qytetarët të mund të lëvizin vetëm me karta identiteti?
E di që kjo pritje prej katër muajsh mund të jetë e vështirë, sidomos po t’ju shtosh atyre vite të tëra pritjeje. Kemi dëgjuar shumë histori njerëzore, nga momenti kur nisëm të negocionim këto marrëveshje. Qytetarë të cilët duan të takojnë pa formalitete e pengesa vizash, familjarët e tyre, të zgjerojnë bizneset apo të udhëtojnë gjatë pushimeve.
Vetëm disa javë më parë kam zhvilluar një bisedë me aktorin nga Kosova Alban Ukaj i cili jeton në Sarajevë dhe rrëfimi i tij për peripecitë dhe ecejaket me vizat Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë gjatë 23 viteve të fundit, është si një film i gjatë që, do pranuar, të lodh nervat. Kësisoj e kuptoj padurimin legjitim për përmbylljen e këtij procesi. 23 vite përpjekje, përfshirë edhe për dy vjet pritje për firmosje edhe pasi ne i kishim mbyllur të gjitha negociatat, janë një jetë. Natyrisht se administratat publike kanë ritme që nuk varen nga ne, aq më tepër kur për një marrëveshje janë në lojë gjashtë administrata të ndryshme dhe jo vetëm një. Ka procedura që duhen ndjekur, ka vendime që duhet të merren nga qeveritë dhe ratifikime që duhet të miratohen nga parlamentet e vendeve rrespektive.
Ndonjëherë, nevojiten edhe tre nivele miratimi. Kjo mund të jetë e ndërlikuar dhe për sytë e dikujt që mezi pret përfundimin e procesit, mund të duket se po merr më shumë kohë se ç’duhet. E di. Ndaj po i ndjekim çdo ditë dhe po bëjmë aq sa mundemi për të përshpejtuar procesin e hyrjes në fuqi.
Deri ku kanë mbërritur këto procedura?
Shqipëria dhe Kosova i kanë përfunduar të gjitha procedurat. Në Maqedoninë e Veriut, që është edhe depozituesi i këtyre marrëveshjeve, marrëveshjet kanë mbërritur këto ditë në parlament. Mali i Zi dhe Serbia i kanë miratuar në qeveri dhe pritet miratimi në parlamentet përkatëse, ndërkohë që në Bosnjë e Hercegovinë marrëveshjet janë në fazën e shqyrtimit. Kështu, jo vetëm rajoni do të ketë mundësi të lëvizë pa viza mes njëri-tjetrit, por me liberalizmin e vizave të Kosovës me BE-në, një vendim ky i vonuar, por shumë i mirëpritur, të gjithë qytetarët e Ballkanit do të kenë tashmë mundësinë e përfitimit njëlloj nga lëvizja e lirë.
Në dhjetor 2022, ju njoftuat uljen e çmimeve të roamingut me BE-në, në vjeshtë. Mund të na thoni më shumë se për çfarë uljeje bëhet fjalë, sa do të jetë kjo ulje?
Jam vërtet krenare për marrëveshjen e rëndësishme që u arrit mes operatorëve të telefonisë celulare, me ndërmjetësimin e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal dhe Komisionit Evropian. Një tjetër operator telefonik tashmë i është bashkuar grupit të atyre që firmosën gjatë samitit BE-BP në Tiranë. Prej atij momenti, procesi i vështirë ose më saktë shumë i vështirë, i dakordësimit për reduktimin e kostos që kanë paketat tona në roaming kur udhëtojmë në Evropë, por edhe i qytetareve evropianë që kanë një kontratë me një kompani telefonike evropiane, është një nga detajet e rutinës sonë të përditshme në Këshillin për Bashkëpunim Rajonal.
Tetori 2023 do të shënojë uljen e parë të ndjeshme. Do të nisë me reduktimin e kostos së internetit kur jemi në roaming dhe besoj që kjo është ajo që pritet. Ne thuajse të gjithë sot, për mirë a për keq, telefonin se kuptojmë dot pa internet.
Kaq mund të them sot për sot. Më shumë detaje do të kemi gjatë muajve të ardhshëm. Është një proces negociatash teknike dhe tregtare me partnerë biznesi, ndaj procesi është i komplikuar.
Në Samitin e Tiranës, thash se çmimet e internetit në roaming me Evropën, do të bien bashkë me gjethet e vjeshtës dhe do ta mbajmë këtë premtim! Ndërkohë sa për rikujtesë, pasi e njoh ‘çarkun’ në të cilin përfundon një premtim i mbajtur -harresën se si ishte e ku ishim – roamingu pa pagesë në Ballkanin Perëndimor i cili nisi në Korrik 2021, edhe kjo është një histori suksesi.
Mund të jeni më konkrete?
Po ja, numri i përdoruesve të roamingut në Ballkanin Perëndimor është rritur 100 për qind. Kur krahasojmë gjysmën e dytë të vitit 2021 me gjysmën e parë të të njëjtit vit, vëllimi i trafikut të përdorimit të internetit u rrit deri në 459 për qind, numri i minutave të kryera përmes telefonatave hyrëse dhe dalëse u rrit deri në 237 për qind, ndërsa për thirrjet zanore hyrëse u rrit deri në 173 për qind.
Është e qartë se Ballkani Perëndimor nuk është një rajon ekonomik i zhvilluar Papunësia është e lartë, të rinjtë duan të largohen. Shumë biznese e kanë jetike lidhjen online. Lidhjet personale, aktivitetet e përditshme, biznesi, politika, media, qeveritë, madje edhe ndarja e emocioneve, sot kalon përmes internetit. Ndaj, nevoja për të qenë të lidhur e ndërlidhur më njëri-tjetrin edhe në distancë, pa shkatërruar gjithë kursimet e muajit, sot është domosdoshmëri.
Çdo përpjekje dhe arritje që i jep mundësi kësaj hiseje të botës ku jetojmë, të jetë më afër, më bashkëpunuese, më e integruar ekonomikisht me njëri-tjetrin edhe përmes Tregut të Përbashkët Rajonal, është një tjetër hap përpara drejt krijimit të një klime mikpritëse ndaj investimeve, për të tërhequr investime afatgjata dhe që shtetet e rajonit të mos boshatisen nga të rinjtë.
Jemi dëshmitarë të ndryshimeve tektonike globale. Bota është ende duke u rikuperuar nga pandemia, megjithatë ajo është në një pikëkthese me krizën e re ekonomike, me luftën që ka pllakosur tokën evropiane, shqetësimet për ngrohjen globale janë ende shumë të pranishme, me epokën e re të IA-së që po shpërthen m’u para syve tanë. Ku e çojnë të gjitha këto rajonin e Ballkanit Perëndimor?
Rajoni i Ballkanit Perëndimor ndjen çdo lëkundje të “tërmetit botëror”, qoftë pandemi apo luftë. Pandemia ka prekur ekonomitë dhe shoqëritë tona. Sipas Bankës Botërore, COVID-19 parashikohet të ketë shkaktuar një tkurrje ekonomike prej 4.8 për qind në rajon në vitin 2020.
Lufta në Ukrainë rriti shqetësimin në rajonin tonë, i cili memorien për plagët e luftës e ka ende të freskët.
Disa shqetësimet kryesore pas fillimit të luftës në Ukrainë për Ballkanin janë: rënia ekonomike, siguria e ushqimit dhe gazit, nevoja urgjente për investime në energjinë e rinovueshme dhe 69.4 për qind besojnë se lufta në Ukrainë kërkon bashkëpunim më të madh të sigurisë me BE-në dhe NATO-n.
Në një rajon në zhvillim, shqetësimet janë kryesisht ato të jetës së përditshme, dhe kjo e bën më të vështirë të mendosh se ç’formë e nga se e ardhmja është e kërcënuar. E ardhmja me të gjitha ngjyrat e pasigurisë së saj duket e largët kur e përditshmja është sfiduese.
Dhe po, patjetër që i kuptoj vramëndjen se shpërthimi i IA-së do të shkaktojë humbje të vendeve të punës. Por në vend që të rrisim nivelin e ankthit, le të mendojmë si t’i orientojmë IA-në dhe teknologjitë e tjera të reja që të na ofrojnë mundësi për rajonin e Ballkanit Perëndimor që të kapërcejmë disa nga sfidat me të cilat janë përballur rajonet e tjera.
Ne në Këshillin për Bashkëpunim Rajonal po përpiqemi ta nxisim modestisht këtë reflektim duke mbështetur të rinjtë e gratë me ide e sipërmarrje novatore , përmes garave si “Balkathon”, “Butterfly”, “Gratë në Sipërmarrje” dhe në STEM, si mbështetje për të ngushtuar sadopak hendekun e rajonit me vendet e zhvilluara.
Nga e thëna në të bërë, thotë populli…
E di! Ndaj e them me keqardhje se nëse investimi për inovacionin në terma buxhetore, në nivel rajonal, mbetet për një kohë të gjatë, afërsisht 0.4 për qind të PBB-së, siç është sot, do të jetë vështirë të jemi konkurrues në treg. Përmenda të rinjtë që largohen nga vendet tona. Kryesisht për asrsye ekonomike apo për shkollim sidomos në fushat si IT e shkenca ku sistemi yne arsimor investon pak.
Kostoja vjetore e humbur si rezultat i largimit të të rinjve të arsimuar nga rajoni ndryshon nga një minimum prej 840 milionë euro në 2.46 miliardë euro. Kjo nënkupton një ulje të mirëqenies për ekonomitë e Ballkanit Perëndimor që kushton rreth 3 miliardë rritje vjetore të PBB-së. Llogaritë e tjera se sa na kushton sot rritja e buxheteve për novacionin në arsim dhe sa humbasim në afat të gjatë, mund t’i bëjë secili vetë.
A mund ta komentoni marrëveshjen e fundit mes Aleksandar Vuçiqit dhe Albin Kurtit në Ohër? A do të ndryshojë ajo ndonjë gjë?
Shpresoj që takimi i Ohrit, do të jetë një hap përpara në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë. Uroj që vijëmësia pas takimit të Ohrit, t’i hapë rrugë një realiteti të ri midis të dyja vendeve, i cili është mjaft i rëndësishëm për të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Tregu i Përbashkët Rajonal, si në fazën e tanishme me fokus në rritjen e mundësive për t’u integruar më mirë ekonomikisht me njëri-tjetrin, si edhe në fazën e ardhshme e cila do të nisë vitin tjetër, ku me të drejtë rajoni do të kërkojë të ketë qasje më të madhe në tregun e përbashkët evropian, nuk është një projekt që mund të ecë mbi këmbët e ndasisë. Dhe, sigurisht nuk është projekt as i vetëm Këshillit për Bashkëpunim Rajonal.
Është vendimi i përbashkët i liderëve të rajonit se si e tashmja të mos vizatojë një të ardhme të pasigurt dhe ku e shkuara të shërbejë si kujtesë e përditshme se si lufta, konflikti, ndasia, pabesia apo nacionalizmi i sëmurë, nuk duhet të përsëriten më. /KDP/
/TV Arbëria