Sulmi me armë ndaj Top Channel është jo thjesht kriminal, por më i egri ndaj një medie në Shqipëri, shkruan deputeti socialist Erion Braçe në një reagim për ngjarjen e natës së kaluar, ku një roje sigurie u qëllua për vdekje nga persona të paidentifikuar.
Braçe i shpreh ngushëllimet familjes së Pal Kolës dhe kërkon vënien para përgjegjësisë së autorëve sa më parë.
“Duke pasur të shënjuar në mendje humbjen e tmerrshme dhe ende të pazbardhur të themeluesit të medias më të madhe në vend, sulmi i sotëm është edhe më i rëndë. Nuk është ngjarje banale apo e lidhur me arsye banale e gjitha kjo!”, tha deputeti në një postim në Facebook.
“Liria e Top Channel nuk është liria e një ndërmarrjeje private, por është liria e shprehjes e secilit në këtë vend. Ndaj, secili sot duhet të dijë se autorët dhe qëllimin e tyre dhe përgjigjen duhet ta japë shteti. Ai është një ndër garantët e lirive tona. Mbështetje maksimale e policisë së shtetit për të bërë detyrën deri në fund, zbulimin e vënien para përgjegjësisë së autorëve, tani, sa më parë! Ngushëllime pa fund për humbjen e jetës së punonjësit në detyrë, ngushëllime familjes së tij! Solidaritet me Top Channel, çdo gazetar, çdo punonjës të tij! Patjetër që jeta vjen e para, por liria është çështja jona!”, shtoi Braçe.
Top Channel është përballur me një situatë të rëndë mesnatën e së dielës, ku është qëlluar me armë zjarri në drejtim të godinës nga persona ende të paidentifikuar. Roja i sigurisë, Pal Kola humbi jetën, pasi u qëllua me armë rreth orës 01:00, në rrethana ende të paqarta.
Në autostradën e Kavajës, tek vendi i quajtur “Përroi i Agait” është gjetur një mjet i djegur tip “Range Rover”, i cili dyshohet se u përket autorëve. Sipas informacioneve, targat e mjetit rezultojnë të vjedhura.
Policia është në vendngjarje, ndërsa grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave.
/TV Arbëria