Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ka reaguar në lidhje me sulmin me armë që ndodhi gjatë orëve të para të mëngjesit të së dielës ndaj ambienteve të televizionit Top Channel, ku ndërroi jetë roja i godinës.
Përmes një postimi në Twitter, Çuçi dënon sulmin ndaj televizionit dhe thekson se policia është e përkushtuar maksimalisht për të identifikuar dhe kapur autorët.
“Dënoj sulmin kriminal ndaj godinës së televizionit kombëtar Top Channel. Policia e Shtetit bashkë është maksimalisht e përkushtuar për të zbardhur këtë ngjarje të rëndë dhe për të vënë para drejtësisë autorët. Ngushëllime familjes së të ndjerit dhe solidaritet me #TCH”, shkruan Çuçi.
Top Channel është përballur me një situatë të rëndë mesnatën e së dielës, ku është qëlluar me armë zjarri në drejtim të godinës nga persona ende të paidentifikuar. Roja i sigurisë, Pal Kola humbi jetën, pasi u qëllua me armë rreth orës 01:00, në rrethana ende të paqarta.
Në autostradën e Kavajës, tek vendi i quajtur “Përroi i Agait” është gjetur një mjet i djegur tip “Range Rover”, i cili dyshohet se u përket autorëve. Sipas informacioneve, targat e mjetit rezultojnë të vjedhura.
Policia është në vendngjarje, ndërsa grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave.
/TV Arbëria