Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla priti sot në takim kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.
Pasi i uroi mirëseardhjen në Kuvendin e Shqipërisë, Nikolla, siç u bë e ditur, e përgëzoi Kurti për punët e mira që po bën Qeveria e Kosovës si edhe durimin, qetësinë, maturinë dhe qëndrimet e guximshme në bashkëpunimin me BE dhe ShBA për të ardhmen evro-atlantike të Kosovës.
“Kuvendi nxit e mbështet bashkëpunimin e shkëlqyer midis Shqipërisë dhe Kosovës në të gjitha fushat dhe mbështesim vendimet e Qeverisë së Kosovës, si vendime të një qeverie të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe të një shteti sovran dhe të pavarur. Bashkëpunimi intensiv mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës është në ditët më të mira. Ne mbështesim perspektivën evro-atlantike të Kosovës dhe vijojmë të lobojmë për njohjet e reja ndërkombëtare, anëtarësimin në Këshillin e Evropës, OKB dhe organizatat ndërkombëtare. Mbështesim dialogun midis Kosovës dhe Serbisë si rruga më e mirë dhe e vetme drejt njohjes së ndërsjelltë mes dy vendeve, vlerësojmë Planin Evropian si një pikënisje e mirë për dialogun dhe mbështesim angazhimin e BE-së dhe SHBA-së në zbatimin e aneksit të këtij Plani. Zbatimi i marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë do të kontribuojë në forcimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe perspektivën e tij euroatlantike.”, u shpreh Nikolla.
Ndërsa, kryeministri Albin Kurti falënderoi kryeparlamentaren Nikolla për mbështetjen institucionale të bashkëpunimit dypalësh, si Kryetare.
Kurti vuri në dukje progresin e dukshëm në zhvillimin ekonomik, konsolidimin e institucioneve demokratike dhe të procesit të integrimit evropian të Kosovës dhe nënvizoi se ekonomia, demokracia dhe integrimi po ecin në mënyrë komplementare, duke respektuar njëkohësisht të drejtat e njeriut dhe të pakicave.
Po ashtu, Kurti theksoi vendosmërinë e Qeverisë dhe institucioneve të Kosovës për avancimin e dialogut me Serbinë dhe zbatimin e Planit Evropian, duke respektuar Kushtetutën e Kosovës dhe duke bashkëpunuar ngushtë me BE dhe SHBA.
/TV Arbëria