Kombëtarja e Kosovës e nisi ciklin kualifikues drejt Kampionatit Evropian Euro 2024 sot, ku barazoi në udhëtim me Izraelin.
“Dardanët” barazuan me Izraelin 1:1 në stadiumin “Bloomfield” të Tel Avivit, ndeshje kjo e vlefshme për xhiron e parë të Grupit I të këtyre kualifikimeve.
Me rezultatin i kënaqur ishte trajneri i Kosovës, Alain Giresse, i cili pas ndeshjes tha se lojtarët kanë treguar potencial për përballjet e ardhshme.
“Ishte ndeshje me shumë ritëm, ani se në fund rezultati nuk ishte i kënaqshëm. Ishte rezultat pozitiv, jemi të kënaqur, nuk jemi të kënnaqur që s’kemi mundur të bëjmë më shumë, rezultati 1:1 ishte pozitiv”, tha Giresse.
“I kënaqur me rezultatin, kemi mundur të humbasim por edhe të fitojmë. Do të shkojmë ndeshje pas ndeshje, do të jetë rrugë e gjatë. Kjo ishte ndeshja e parë kualifikuese, kemi treguar mundësi dhe potencial, lojtarët kanë treguar paraqitje të mira për ndeshjet e ardhshme”, tha më tej trajneri i Kosovës.
Ndeshja e radhës për Kombëtaren e Kosovës do të jetë si vendase në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku pas tre ditësh përballet me Andorrën me fillim nga ora 19:45./TV Arbëria