Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Promovohet libri ‘Komiteti i Deçanit’, Haradinaj: Veprimtarët e atëhershëm shërbyen për brezat e rinj që të kenë më shumë guxim

Promovohet libri ‘Komiteti i Deçanit’, Haradinaj: Veprimtarët e atëhershëm shërbyen për brezat e rinj që të kenë më shumë guxim

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka marrë pjesë në promovimin e librit “Komiteti i Deçanit”, me autor, veprimtarin e çështjes kombëtare, profesorin Hasan Ukëhaxhaj.

Haradinaj ka thënë se lëvizjet e hershme të rezistencës, frymëzuan gjeneratat pasuese për të pasur guxim për veprim.

“Rezistenca dhe mbrojtja e të drejtave gjatë okupimit, për shqiptarët nuk ka qenë e lehtë sepse ajo barte pasoja për individin por edhe për rrethin e tij. Lëvizjet e hershme të rezistencës, frymëzuan gjeneratat pasuese për më shumë guxim në përpjekjet për liri”.

“Sot, kisha nderin që të marrë pjesë në promovimin e librit “Komiteti i Deçanit” nga veprimtari i çështjes kombëtare, njëri prej themeluesve të Komitetit të Deçanit – LNÇKVShJ, Profesori Hasan Ukëhaxhaj, i cili trajton gjendjen e rënduar të shqiptarëve në shekullin XX, të cilat kanë pasur pasoja të thella në zhvillimin, avancimin dhe forcimin e kombit shqiptar si tërësi”, ka shkruar Haradinaj.

Haradinaj ka shtuar se Komiteti i Deçanit, intelektualët e atdhetarët e atij brezi ishin motiv për shumë figura për ta pasur guximin për më shumë.

“Nuk ishte rastësi që protagonistët e asaj kohe kanë bartur mbi supe vlera të çmuara atdhetare, duke frymëzuar shumë gjenerata tjera, jo vetëm në Deçan por edhe në viset e tjera. Komiteti i Deçanit, intelektualët e atdhetarët e atij brezi ishin motiv për shumë figura për ta pasur guximin për më shumë”.

“Dokumentimi i këtyre ngjarjeve historike do t’i shërbejë brezave të ardhshëm për informimin dhe vetëdijësim për rolin e shumë gjeneratave që kanë dhënë kontribut të madh për çështjen kombëtare”, ka përfunduar Haradinaj.

/TV Arbëria

Powered by WordPress